Ministrja e Jashtme e Estonisë, Eva-Maria Liimets tha se ishte “absolutisht e përshtatshme” që Estonia të reduktonte numrin e stafit diplomatik rus në vend dhe u kërkoi vendeve të tjera të rrisin sanksionet dhe presionin ndaj Rusisë.

“Ne kemi parë se Rusia është bërë një agresor në arenën ndërkombëtare,” tha Liimets në një intervistë me Bianca Nobilo të CNN. “Është e vështirë të zhvillohen marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për këtë arsye, nga këndvështrimi im, është absolutisht e përshtatshme të zvogëlohet numri i pranisë diplomatike të Rusisë në Estoni”.

Më herët të martën, Estonia njoftoi se do të mbyllë të dy konsullatat ruse në vend dhe do të dëbojë 14 punonjës.

Liimets shtoi, “Kjo nuk mjafton për të bërë presion ndaj Rusisë që të ndalojë luftën dhe për këtë arsye ne punojmë edhe me sanksione me paketën e pestë të sanksioneve brenda Bashkimit Evropian”.

Ministrja e Jashtme vuri në dukje gjithashtu se Estonia do të dëshironte të shihte reforma në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilin Rusia është një anëtare e përhershme. Liimets tha se anëtarët e përhershëm nuk duhet të kenë të drejtën e vetos kur bëhet fjalë për çështjet që lidhen me mizoritë.

“Është shumë për të ardhur keq të shohësh se në mesin e atyre vendeve anëtare të përhershme, ka edhe një agresor dhe agresori ka sabotuar të gjithë punën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha ajo.

Ministrja e Jashtme u kërkoi gjithashtu vendeve të tjera anëtare të OKB-së që të mbështesin Ukrainën me ndihmë ushtarake dhe të “vazhdojnë të izolojnë politikisht dhe ekonomikisht Rusinë”.

“Estonia filloi t’i sigurojë Ukrainës pajisje mbrojtëse para fillimit të luftës,” tha Liimets për CNN. “Është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet që kanë këtë mundësi për të ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën, ta bëjnë këtë tani.”

“Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë presion shtesë ndaj Rusisë për të ndaluar këtë luftë të pajustifikuar dhe të paprovokuar në Ukrainë”, tha ajo. “Dhe këtu patjetër, Ukraina ka nevojë për mbështetjen e çdo shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb