Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.

Ajo udhëton së bashku me Ndihmës-sekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Zëvendësdrejtoren ekzekutive të UN Women, Asa Regner, me ç’rast fokus kryesor i vizitës do të jetë agjenda “Gratë, Paqja dhe Siguria.”

Barazia gjinore dhe pjesëmarrja e grave në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes gjatë viteve të fundit do të jenë gjithashtu në rend të ditës, duke reflektuar mbi strategjitë e suksesshme për përfshirjen dhe fuqizimin e grave, si dhe mbështetjen e grave të reja në punën për ndërtimin e paqes dhe parandalimin e konflikteve, drejtësinë tranzicionale si dhe arritjen e potencialit të grave në ndërtim të mirëbesimit.

Temat e tjera të vizitës janë zbatimi i reformave strategjike të Kosovës, përpjekjet anti-korrupsion, zgjedhjet lokale, integrimi gjyqësor, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave që i përkasin komuniteteve si dhe tejkalimi i pandemisë.

Ministrja gjithashtu do të diskutojë çështje që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe rolin e OSBE-së në të.

Linde dhe Regner do të takohen me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

Kryesuesja do të takohet edhe me Ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq. Linde dhe Regner do ta takohen edhe me stafin e Misionit të OSBE-së në Kosovë si dhe do të vizitojnë projektet në terren.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb