Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock vizitoi qytetin ukrainas të Kharkiv, afër vijës së frontit, duke u bërë anëtarja e parë i kabinetit gjerman që ka parë nga afër zonën e shkatërruar nga lufta.

Ajo shoqërohej në udhëtimin e paparalajmëruar nga ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba dhe ambasadori i Ukrainës në Gjermani Oleksii Makeiev.

Zyrtarët e huaj zakonisht qëndrojnë pranë kryeqytetit, Kievit.

Kharkiv është një qytet me më shumë se 1 milion banorë që ndodhet vetëm disa dhjetëra kilometra në jug të kufirit rus. Kharkiv ka qenë subjekt i sulmeve të fundit ruse.

Baerbock e përshkroi vizitën e saj të tretë në vend gjatë kohës së luftës si një shfaqje solidariteti. Ajo premtoi më shumë ndihmë humanitare gjermane, duke përfshirë gjeneratorë, karburant dhe batanije si dhe “dërgime të mëtejshme armësh”.

Ajo vizitoi vendin vetëm disa ditë pas vendimit të qeverisë gjermane për të furnizuar Ukrainën me automjete luftarake të këmbësorisë Marder , të cilat Ukraina i kishte kërkuar prej kohësh. Kievi po kërkon gjithashtu tanke, por deri më tani Berlini e ka mohuar kërkesën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb