Pushtimi rus i Ukrainës – i cili po i afrohet kufirit gjashtëmujor – ka ndryshuar përgjithmonë botën, tha të martën ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

Presidenti rus Vladimir Putin as nuk u ndal “në atë pikë kthese përfundimtare [më 23 shkurt” dhe as nuk iu përgjigj “ofertave të panumërta për bisedime”, tha Baerbock, duke e çuar “vendin e tij në një natë të gjatë, gjithnjë e më të errët deri më sot, pa asnjë shenjë pajtueshmërie, pa ndonjë ofertë serioze negocimi, pa pendim.”

“Nëse disa tani dëshirojnë një kthim në botën që ekzistonte para 23 shkurtit, kjo është shumë e kuptueshme. Por ajo botë nuk do të ekzistojë më. Ajo që ka ndodhur në gjashtë muajt e fundit nuk mund të zhbëhet kurrë”, tha Baerbock gjatë një konference të përbashkët shtypi në Berlin me homologun e saj islandez Thordis Gylfadottir.

“Për sa kohë që kjo luftë brutale agresioni të vazhdojë, ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën me ndihmë ushtarake në të drejtën e saj për vetëmbrojtje,” tha Baerbock. Megjithatë, vetë Gjermania duhet të mbetet e aftë të mbrohet, gjithashtu duke pasur parasysh situatën e kërcënimit në shtetet baltike, shtoi ajo.

Gylfadottir tha gjithashtu se vendi i saj është “në anën e popullit ukrainas në luftën e tyre heroike kundër agresionit rus.” Ajo u zotua “të ndihmojë Ukrainën të rindërtohet në mënyrë që brezi i ri të ketë arsye për të shpresuar dhe arsye për të ëndërruar. Kjo është ajo që ne u detyrohemi atyre. Ne ia detyrojmë këtë njerëzve që po luftojnë dhe po vdesin për të mbrojtur vendin e tyre.”

Rusia duhet të mbahet përgjegjëse dhe “nuk duhet të arrijë qëllimet e saj,” tha ministri i jashtëm islandez. “Ukraina duhet të fitojë.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb