TIRANE– Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me përfaqësuesit e personave me nevoja të veçanta dhe aftësi të kufizuar, ku dëgjoi kërkesat e tyre për përmirësimin e shërbimeve social-shëndetësore për personat me aftësi të kufizuar.

“Në 100 ditë heqim barrierat për marrjen e shërbimeve në kohë dhe me cilësi, duke lehtësuar procedurat burokratike. E nisëm me kartën e shëndetit, vërtetimin e pensionit dhe librezën shëndetësore. Kemi nisur punën për lehtësimin e procedurave të Kempit për personat me aftësi të kufizuar. Nuk do të ketë më sorollatje nga njëri komision në tjetrin për vërtetimin e aftësisë së kufizuar, por po vlerësojmë heqjen e disa hallkave, për t’ua lehtësuar kalvarin e mundimshëm qytetarëve”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Përfaqësuesit e shoqatës së Invalidëve te Punës, në emër të 75 mijë invalidëve të punës, shprehën mirënjohje për vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të nisur punën për lehtësimin e procedurave të KEMP-it.

Nga lehtësimi i procedurës së Kempit përfitojnë rreth 130 mijë persona me aftësi të kufizuar.

Një nga shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e personave me aftësi të kufizuar ishte vështirësia që hasin në marrjen e shërbimeve në nivel lokal.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguroi grupet e interesit se, me bashkimin e dy sektorëve, atë të Mbrojtjes Sociale dhe Shëndetësisë, do të integrohen më mirë shërbimet social-shëndetësore dhe do t’ju shërbehet më shpejt qytetarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb