Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi deklaroi sot në Kuvend se ekonomia u rrit me rreth 6 %, një shifër më e lartë se ajo e vendeve të BE-së.

Ekonomi iu referua të dhënave të INSTAT, sipas të cilave Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e parë të vitit 2022 vlerësohet me rritje prej 5,97 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2021. Ajo deklaroi se ekonomia jonë ka rezistuar.

“Tani është një fakt i rëndësishëm që rritja ekonomike në Shqipëri shënoi 5.97% rritje në tre mujorin e parë, që është rritje e nivelit të lartë e krahasueshme dhe me vendet e BE ku mesatarja është 5.6 %. Ndërkohë dhe në rajon kjo është rritja më e lartë.
Duke parë ecurinë e ekonomisë deri në vitin 2021, kemi vënë re që gjërat kanë qenë të vështira por ekonomia jonë ka rezistuar.
Po të shikoni raportin e agjencisë së sigurimit të depozitave ka një shifër që tregon dhe një rezistencë tjetër.
Numri i individëve që kanë depozita të nivelit të sigurimit, pra 2 milionë e 500 mijë lekë të reja, numri i tyre në fund të 2021 ishte rritur me 9% krahasuar me fundin e vitit 2020. E numri i depozituesve kishte shkuar më shumë se 2 milionë e 611 individë.
Kjo tregon që masat që janë marrë dhe rritja ekonomike i ka sjellë një të mirë familjeve shqiptare”, tha Ekonomi.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin mbi Produktin e Brendshëm Bruto, sipas të cilit, kontribut pozitiv kanë dhënë ndërtimi me 1,95 %, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 1,55 %, aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0,91 %, aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative me 0,66 pikë përqindje, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 0,26 %, industria, energjia dhe uji me 0,24 pikë përqindje.

Sipas INSTAT-it, taksat neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me +0,89 %.

Ndërkohë, referuar të dhënave të INSTAT-it, negativisht kontribuuan aktivitetet: arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me 0,35 %, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 0,18 %.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb