Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla ka zhvilluar një vizitë në Athinë, ku është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme greke, Nikos Dendias.

Gërvalla tha se fokus i bisedimeve ishte rritja e bashkëpunimit mes vendeve, për të avancuar më tej marrëdhëniet bilaterale.

Ministrja Gërvalla po ashtu theksoi se njohja dhe respektimi i pavarësisë së Kosovës nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë Greqinë, do të ishte një lëvizje e guximshme për stabilitetin në rajon dhe më gjerë, që do të mundësonte hapjen e një dinamike të re në zgjidhjen e problemeve afatgjata në Ballkan.

“Jo vetëm për vendet tona, por më shumë për fëmijët dhe nipërit tanë, kjo do të ishte një premtim për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Evropë. Një hap i tillë do të ishte historik dhe mendojmë se është diçka që duhet të bëhet”, shtoi Gërvalla.

Më tej Gërvalla u shpreh Greqia është një shtet i rëndësishëm i Europës Juglindore dhe gjithashtu kontribuues në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Gjithashtu kryediplomatët theksuan rëndësinë e avancimit të mëtejshme të marrëdhënieve ekonomike, veçanërisht në fushën e energjisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: