TIRANE– Pas vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili miratoi sot projektvendimin “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore ose në lartësi ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e së drejtës së pronësisë apo qiradhënien”, ka reaguar ministrja e Zhbillimit Urban, Gjermeni. Gjatë deklaratës për mediat, ministrja Eglantina Gjermeni tha se deri më sot janë kryer 110 mijë legalizime, që do të thotë 5 herë më shumë se në 8 vitet e fundit. Më tej ministrja Gjermeni u shpreh se 26-28 mijë familje kanë marrë hipotekën e banesës.

“Deri më sot janë kryer 110 mijë legalizime, ose thënë ndryshe, 5 herë më shumë se në tetë vitet e qeverisjes së kaluar. Megjithatë, ekziston një kategori qytetarësh, të cilët nuk kanë mundur të përfitojnë nga ky angazhim madhor i Qeverisë. Sipas të dhënave janë rreth 26 mijë deri në 30 mijë familje në Republikën e Shqipërisë, të cilat jo për faj të tyre, nuk kanë mundur të marrin hipotekën e pronës ku jetojnë. Në të gjithë vendin numërohen rreth 1 320 pallate që preken nga ky vendim, 700 prej të cilave në territorin në administrim të bashkisë së Tiranës. Këto familje edhe pse e kanë blerë pronën në mirëbesim, nuk janë bërë pronarë, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e ndërtuesve. Pra, qytetarët, të cilët kanë shlyer detyrimet e tyre financiare ndaj ndërtuesve të pallateve, nuk mund të penalizohen prej këtyre ndërtuesve, të cilët nuk kanë respektuar rregullat apo detyrimet ligjore. Ndaj ky vendim, i miratuar sot nga Qeveria i jep zgjidhje përfundimtare kësaj problematike të mbartur në vite dhe bën të mundur legalizimin e pronave për këto familje. Nga njëra anë rregullohet e drejta e regjistrimit të banesave nga individët që i kane blerë, dhe nga ana tjetër synohet vjelja e të gjitha detyrimeve financiare nga ndërtuesit dhe investitorët”- tha Gjermeni.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: