Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka zhvillua sot në ambientet e Ministrinë e Drejtësisë një tjetër konsultim të gjerë publik me përfaqësues të grupeve të interesit dhe institucioneve mbi projektligjin “Për ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme”.

“Për herë të parë kemi një kuadër ligjor për ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme me qëllim rregullimin dhe formalizimin e sektorit të pasurive të paluajtshme dhe sidomos për të garantuar shërbim më të sigurtë për qytetarin”, tha ajo.

Gjithashtu, Gjonaj shtoi se “kjo iniciativë vjen edhe për të përmbushur detyrimet që Shqipëria ka marrë përmes angazhimit me Task Forcën për Veprimin Financiar (FATF) dhe MONEYVAL për të forcuar luftën kundër pastrimit të parave.

“Jo vetëm në Shqipëri por edhe në mbarë vendet e tjera, agjencitë dhe ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme, së bashku me noterët dhe me kategori të tjera vlerësohen si faktorë te rëndësishme ku mekanizmat kontrollues për ligjshmërinë e veprimtarisë së tyre luajnë rol kyç në parandalimin e pastrimit të parave” tha Gjonaj.

Po ashtu, Gjonaj tha se “me këtë projektligj, synojmë certifikimin e ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, të drejtat dhe detyrimet e tyre, mekanizmat inspektues, si dhe regjistrimin në një regjistër të posaçëm. Ky akt gjithashtu do të shërbejë për të rregulluar dhe moderuar sektorin, si dhe do të mundësojë një konkurrencë të ndershme edhe midis subjekteve duke rregulluar informalitetin në fushën e pasurive të paluajtshme”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb