Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla u ka shkruar letër ambasadorëve të vendeve të QUINT-it në lidhje deklaratën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, ku kërcënoi serbët të cilët tregojnë varret e viktimave shqiptare të varrosura në Serbi gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përmes një postimi në Twitter, Haradinaj-Stublla publikoi letrën drejtuar ambasadorëve.
Ajo i quajti të turpshme veprimet e fundit të qeverisë serbe.

“Kjo është letra ime për ambasadorët e QUINT-it për veprimet e fundit të turpshme të qeverisë serbe karshi viktimave Kosovare-Shqiptare të luftës së fundit në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Letra e plotë:

Të nderuar Ambasadorë të Grupit Quint në Kosovë dhe Serbi,

Megjithëse po kalojmë një kohë sfiduese pandemie, dhe të gjitha qeveritë demokratike po tregojnë shenja të respektit dhe solidaritetit më të madh reciprok,

Serbia po minon frymën e dialogut, marrëdhëniet fqinjësore dhe proceset e një pajtimi të mundshëm pas marrëveshjes së Uashingtonit dhe dialogut aktiv në Bruksel.

Duke qenë se i përkas brezit të luftës;

Duke qenë anëtare e një familjeje që ishte viktimë e masakrës së tmerrshme të Lybeniqit në 1999, eshtrat mortore të së cilës u kthyen nga Serbia vetëm dy vjet më parë;

E ndërsa shumë më tepër se një mijë shqiptarë të Kosovës ende janë të zhdukur, unë ndjehem e detyruar të shpreh zhgënjimin tim të thellë për një indiferencë totale të bashkësisë ndërkombëtare në dënimin e gjuhës së turpshme të qeverisë Serbe kundër viktimave të luftës së fundit dhe anëtarëve të familjeve të tyre.

Më lejoni të kujtoj se Kosova ende pret drejtësinë për veprimet gjenocidale të Serbisë ndaj më shumë se 13,000 shqiptarëve të Kosovës të vrarë – përfshirë foshnje 18 muajshe, më shumë se 1,300 fëmijëve, më shumë se një milion të dëbuarve nga Kosova, më shumë se 400 masakrave të kryera sistematikisht, më shumë se 20,000 grave të dhunuara dhe shumë pasuri e objekte të tjera kulturore, fetare dhe historike të vjedhura ose shkatërruara!

Kërcënimet publike nga Ivica Daçiq, ndaj serbëve të cilët tregojnë vendet ku fshihen trupat e viktimave shqiptare të Kosovës, ka shkaktuar dhimbje të jashtëzakonshme për popullin e Kosovës e hapje të plagës së vjetër, dhe veçanërisht për familjet e viktimave dhe atyre që ende rezultojnë të zhdukur 21 vjet pas luftës. Për më tepër, thirrja ksenofobe e Aleksandar Vulin ndaj shqiptarëve – në deklaratën e djeshme zyrtare për shtyp – meriton dënimin tuaj të fuqishëm ndaj akteve të turpshme dhe shoviniste të qeverisë së Serbisë.

Ndërsa ne e respektojmë dhe e admirojmë shumë veprimtarinë tuaj të pasur diplomatike në të gjitha aspektet e interesit tonë të përbashkët dhe jetën e përditshme – e cila gjithashtu ka një ndikim transformues për Kosovën dhe institucionet e saj, ne gjithashtu presim që të njëjtat standarde të zbatohen kur e kaluara jonë tragjike nënçmohet dhe sulmohet përsëri nga vetë kryesit e saj.

Agresori dhe viktima do të mund të kenë trajtim të barabartë vetëm atëherë kur të vendoset drejtësia për të gjitha mizoritë dhe krimet e së kaluarës. Pa këtë premisë – trajtimi asimetrik është për fat të keq – gjithmonë i favorshëm për agresorin.

Ju ftoj të dënoni ashpër gjuhën jashtëzakonisht ofenduese të qeverisë Serbe, duke u mbështetur në bazamentin e fortë të paqes dhe sigurisë që ju keni siguruar për ne në Kosovë, por edhe në Serbi.

Ju lutemi pranoni vlerësimet e mia më të larta.

Sinqerisht e juaja,

Meliza Haradinaj-Stublla

Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Republika e Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: