GJERMANI- Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli e ka nisur vizitën e saj dyditore në Gjermani duke mbajtur një leksion në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Gjermanisë në Hamburg, për studentët që pritet të diplomohen këtë vit akademik.

Fillimisht ministrja Kodheli u prit në një takim nga komandanti i kësaj akademie gjeneralmajor Achim Lidsba.

Gjatë takimit me gjeneralmajor Achim Lidsba, ministrja Kodheli u shpreh e nderuar për mundësinë e rrallë që iu dha për të mbajtur një fjalim për studentët e kësaj akademie.

Ministrja Kodheli vlerësoi nivelin e lartë të studimeve atje dhe i shprehu mirënjohjen komandantit të akademisë për bashkëpunimin e ngushtë që sapo ka nisur mes kësaj akademie dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.

Gjithashtu ministrja Kodheli, në emër të qeverisë shqiptare e falënderoi gjeneralmajor Achim Lidsba për kontributin e tij gjatë luftës në Kosovë.

LEKSIONI I PLOTË I MINISTRES KODHELI NË AKADEMINË USHTARAKE TË FA GJERMANE NË HAMBURG
Mirëmbrëma të gjithëve,
Prania ime këtu në këtë institucion kaq prestigjioz siç është Akademia Fyhrungs e Bundeswehr, është një moment shumë i rëndësishëm për mua. Me mijëra njerëz të zgjuar, ambiciozë, intelektualë dhe të motivuar kanë kaluar nga ky auditor. Gjeneral Lidsba, unë do të përpiqem të bëj më të mirën për të përshtatur motivimin që institucioni juaj prestigjioz jep për gjithë ish-studentët tuaj dhe më gjerë.

Në Shqipëri, kemi një numër të konsiderueshëm oficerësh të cilët kanë kaluar nga kjo akademi; dy prej tyre janë këtu me mua sot.

Ndërkohë që po kontrolloja axhendën e këtij aktiviteti, kuptova se kjo sallë mban emrin e Manfred Wörner, një emër i rëndësishëm për politikën në fund të viteve ‘80 dhe fillimin e viteve ‘90. Një emër gjithashtu i rëndësishëm edhe për ne, duke lënë pas Perden e Hekurt. Njeriu që ka mbajtur pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO për gjashtë vitet më të rëndësishme, vite të cilat formuan të ardhmen e Evropës post – komuniste. Një njeri i cili filloi negocimin e paqes në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke i bërë thirrje forcave të NATO-s në vitin 1994.

Dhe unë vij nga një rajon i veçantë, siç dikur njihej Ballkani, fuçia e barutit të Evropës. Gjatë 25 viteve të fundit, shumë prej politikanëve evropianë janë munduar të ndryshojnë imazhin e rajonit prej të cilit unë vij. Një pjesë e konsiderueshme e këtij rajoni është bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por përsëri mbetet pjesa më pak e zhvilluar e kontinentit tonë të vjetër, tashmë i njohur si Ballkani Perëndimor.

Shoh midis jush ushtarakë të Forcave të Armatosura të vendeve Aleate dhe Partnere. Shumë prej jush i njihni mjaft mirë problemet e rajonit prej të cilit unë vij. Prandaj, dhe unë nuk jam këtu për t’ju thënë versionin tim të historisë së Ballkanit Perëndimor, por për të folur për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit tim.

Dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj konkretisht në një çështje aktuale. Si influencojnë në Ballkanin Perëndimor konfliktet që po ndodhin aktualisht në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme? Si po i përgjigjet komuniteti ndërkombëtar ndonjë sulmi potencial, që mund të shkaktohet nga “fuçia e barutit” të Evropës?

Ne nuk po përjetojmë ditë dhe aq të mira. Të gjithë ne! Kriza ekonomike u pasua më rritjen e menjëhershme të konfliktit në Ukrainë, rritjen e DAESH (ose ISIS) dhe valët e refugjatëve të ardhur nga Lindja e Mesme, këtu në Gjermani ose kudo tjetër në Evropë. Kush mund të kishte parashikuar ndonjë nga këto, tre vite më parë? Historia nuk shkruhet paraprakisht. Por ne mund të parandalojmë një epokë kaotike – nëse kemi vullnetin. Ne mund të mbajmë rendin ndërkombëtar, i cili na ka shërbyer kaq mirë, nëse i bindemi rregullave ndërkombëtare dhe në qoftë se qëndrojmë pranë njëri-tjetrit. Kështu që, çdo gjë varet nga ne.

Kohët e fundit vendet anëtare të NATO-s po përballen me kërcënime të ndryshme që vijnë nga Lindja dhe Jugu, duke pasur parime të përbashkëta për mbrojtjen kolektive, menaxhimin e krizave dhe sigurinë bashkëpunuese. Shqetësimet që vijnë nga zonat lindore dhe juglindore te Aleancës janë të prekshme.

Nuk duhet të harrojmë që rajonet mund të preken lehtësisht nga konfliktet ndërkombëtare, për shkak të destabilitetit dhe vulnerabilitetit të tyre. Ballkani Perëndimor është njëri prej tyre, relativisht larg nga Rusia dhe Lindja e Mesme, por i ndikuar së shumti nga paraja dhe ideologjia e Moskës dhe fundamentalizmit.

Shembujt më të mirë të rajonit janë Sllovenia dhe Kroacia, vende anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Shqipëria është vetëm vend anëtar i NATO-s, ndërkohë që Mali i Zi do të jetë anëtari i ardhshëm i saj. Vendet e tjera janë kandidate për anëtarësim në BE dhe në NATO, në bazë të programeve dhe axhendave të ndryshme, çështje të emrit dhe të demokracisë (siç është rasti i Maqedonisë) apo forcave centrifuge që tronditin themelet e demokracive të brishta (si Bosnja dhe Hercegovina). Disa prej tyre preferojnë vetëm Bashkimin Evropian dhe shmangin çdo lidhje me NATO-n (Serbia). Ndërkaq, Kosova është duke bërë një progres të madh drejt njohjes së saj dhe integrimit në organizatat ndërkombëtare.

Rruga drejt anëtarësimit në BE është shumë më komplekse për vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu siç është edhe për vendin tim. Pasiguritë politike dhe kufizimet ekonomike janë duke dobësuar ëndrrën e integrimit, dhe në një periudhë konfliktesh të tilla, të gjithë jemi dakord se këto konflikte lehtësisht mund të parandalohen nga proceset e integrimit.

Me rritjen e nacionalizmit në Evropë, Rusia ka pasur një plan të qartë dhe konkret për vendet e Ballkanit, duke përcaktuar saktësisht pikat e influencës të bazuara në prejardhjen fetare dhe racore. Rajoni ynë është parë gjithmonë si një shtesë në zgjerimin e Rusisë drejt Mesdheut. Ëndrrat e civilizimit perëndimor të Ballkanit nuk janë pranuar asnjëherë nga Rusia.

Në ditët e sotme, bankat, bizneset, infrastruktura turistike, kompanitë e gazit dhe të karburanteve në vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë qenë të synuara nga paraja e Rusisë. Prania ekonomike e Rusisë po rritet në mënyrë konstante në këto kohë vështirësie për Perëndimin. Ne nuk jemi kundër lidhjeve të mira ekonomike midis vendeve, por në shumë vende të rajonit ka forca politike të cilët e shohin këndvështrimin rus si alternativa më e mirë për të ardhmen e vendeve të tyre. Në disa vende, të tilla parti politike duken qesharake, por në zemrën e Ballkanit, këto parti përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Për më tepër, numri i këtyre njerëzve nga Ballkani që marrin pjesë në luftën hibride ruse është e qartë dhe shqetësuese.

Në këndvështrimin tim, qindra miliona rubla të investuara në rajon, stërvitje të përbashkëta ushtarake me trupat ruse pranë vendeve kufitare të NATO-s, përbëjnë një shqetësim të madh dhe shkaktojnë një debat të madh.

Nga ana tjetër, xhihadistët synojnë vendet pjellore të Evropës. Sulmet terroriste në Francë dhe në Belgjikë, janë zile alarmi për rrezikun që vjen prej forcave të errëta që civilizimi modern po përballet sot.

Janë qytetarët tanë të cilët po marrin pjesë në radhët e DAESH (ose ISIS), si ”foreign fighters” (luftëtarë të huaj). Kryesisht të rinj nga e gjithë Evropa, janë kontaminuar nga interpretimi i rrezikshëm dhe i keq i një feje paqësore siç është Islami, duke u bërë kafshë të egra, pa tru, zemër apo shpirt.

Ne shohim dhe përballemi çdo ditë me ligësinë e veprimeve te tyre qe bazohen në një ideologji të dhunshme të urrejtjes dhe terrorit. Ne kemi nevojë t’i japim qytetarëve tanë shpresë, duke përdorur praktikat tona më të mira demokratike me këta të rinj të cilët janë duke vrarë çdo ditë jo vetëm njerëz, por dhe shpresën.

Ajo çfarë NATO dhe BE kanë bërë në këto 20-25 vitet e fundit është e mrekullueshme. Sidoqoftë, është kaq drastike për BE-në të pranojë disa miliona njerëz nga Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia si qytetarët e vet? Askush nuk është duke kërkuar dhurata apo privilegje, por sesi mund të kemi një rajon të sigurt?

Valët e refugjatëve janë duke kaluar nëpërmjet Ballkanit Perëndimor, me destinacion Gjermaninë dhe Evropën Veriore. Ato sjellin me vete shumë nga problemet e tyre, por ato gjithashtu na nxjerrin në pah shumë prej problemeve që ne kemi. Si një politikane, nënë, bijë, bashkëshorte, motër, feministe, socialiste nuk mund të pranoj mënyrën se si po menaxhohen refugjatët në rajonin tim. Dhe gjithashtu nuk mund të pranoj përzierjen politike të refugjatëve dhe të emigrantëve të cilët janë duke lëvizur drejt Evropës Perëndimore.

Interpretimi im personal në Samitin e Berlinit në 2014–ën ishte se BE “nuk e ka harruar Ballkanin Perëndimor”. Ky ishte një takim i fuqishëm, nxitës, por kjo mund mos të jetë e mjaftueshme në qoftë se BE-ja dëshiron që vendet tona një ditë të jenë shtete anëtare të begata. Unë besoj se BE-ja mbetet besnike ndaj “perspektivës evropiane”, premtim ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, lënia e gjithë përgjegjësisë këtyre vendeve, jep imazhin e një BE-je indiferente, e cila nuk ka asnjë dëshirë të thyejë rrjetin që kanë lënë prapa shoqëritë e këtij rajoni.

I njëjti argument vlen dhe për integrimin rajonal në NATO. Natyrisht që rrugëtimi në NATO është shumë më i qartë dhe gjithkush i di detyrat që ka për të bërë. Por NATO nuk duhet të harrojë se këto forcat e errëta të ardhura nga Lindja dhe Jugu kanë për qëllim të godasin pas shpine Aleancën. Pika më e dobët është afër, diku në mes të Shqipërisë, Kroacisë, Hungarisë dhe Bullgarisë, të gjitha vende anëtare të NATO që janë në kufi me vende joanëtare të NATO-s.

NATO ka marrë vendime të rëndësishme për të garantuar një Aleancë vigjilente dhe të fortë, duke përfshirë intensifikimin e bashkëpunimit mes partnerëve dhe duke iniciuar zhvillimin e kapaciteteve të Mbrojtjes, për të ndihmuar në stabilitetin e projektit të Aleancës me një prezencë të qartë.

Politika e dyerve të hapura është përsëritur dhe më parë, dhe tani ne jemi në pritje të anëtarit të 29-të të Aleancës. Mali i Zi është vendi anëtar i sapomirëpritur dhe ne jemi të gjithë të emocionuar për të parë aktin përfundimtar të anëtarësimit të tij në NATO.

Unë shpresoj se kjo do të ndodhë edhe për vendet e tjera të rajonit që ndajnë të njëjtat parime dhe vlera demokratike.

Edhe njëherë është e qartë se jemi duke i ngushtuar hapësirat që lidhen me fushat e përmendura më sipër. Duke marrë në konsideratë sigurinë e ambientit në ditët e sotme, lëvizjet tona duhet të jenë më të shpejta. Unë padyshim besoj se integrimi i kësaj zone gri të Evropës në komunitetin euroatlantik do ta bëjë grupin e vendeve të Aleancës sonë më të mirë dhe me vlera të përbashkëta për mbrojtjen kolektive.

Të gjithë ndajmë të njëjtat vlera evropiane dhe kemi objektiva të përbashkëta për të ardhmen. Me më shumë vullnet politik, konfliktet e Lindjes dhe të Jugut do të qëndrojnë larg nga Ballkani.

Të gjitha masat e marra nga NATO deri më tani kanë një karakter mbrojtës, janë proporcionalë dhe në përputhje me parimet dhe angazhimet ndërkombëtare. Kjo është përgjigja e Aleancës në riskun dhe kërcënimet potenciale nga Jugu dhe Lindja.

Duke marrë parasysh krizën aktuale ekonomike dhe pasigurinë, ne duhet të kujtojmë se paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë nuk mund të merret si diçka e mirëqenë. Historia na ka mësuar se si ndryshon bota, NATO, BE-ja dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar duhet të ndryshojë. Ata duhet të jenë në gjendje të reagojnë me shpejtësi dhe kjo jo vetëm politikisht, por edhe të kenë kapacitetet e duhura dhe të nevojshme.

Unë jam rritur duke dëgjuar Simon dhe Garfunkel, një duet amerikan “folk – rock” të viteve gjashtëdhjetë. Unë nuk jam e sigurt nëse shumë prej jush brenda kësaj salle i mban mend këta artistë, por unë jam e sigurt se gjeneral Lidsba i mban mend. Dhe një këngë e veçantë e Simon dhe Garfunkel, “Bridge Over Troubled Water” ose “Ura Mbi Lumin e Trazuar” është pikërisht ajo çfarë kam në mendje kur flas për integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe euroatlantike.

Shpresoj t’ju kem dhënë informacione të mjaftueshme për pyetjet sfiduese, për të cilat unë jam shumë e lumtur që m’i keni drejtuar dhe do të bëj çmos për të dhënë përgjigjet e mia më të sinqerta për të gjitha pyetjet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb