BRITANI – Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ndodhet në një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, ku u prit në takim nga homologu i saj britanik, Sekretari i Mbrojtjes, Michael Fallon. Siç bën të ditur zyra e shtypit e Ministrisë se Mbrojtjes, dy ministrat biseduan lidhur me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe në fushën e mbrojtjes.

Ministrja Kodheli vuri theksin në rëndësinë që ka forcimi i bashkëpunimit mes Forcave të Armatosura të të dy vendeve.

“Jam këtu për t’iu përcjellë mesazhin se te Shqipëria do të gjeni një aleat të mirë. Ne duam që të thellojmë më shumë bashkëpunimin mes dy vendeve tona, sidomos në fushën e mbrojtjes”, – është shprehur Kodheli.

Gjithashtu, ministrja e njohu homologun e saj britanik me ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve ushtarake nga ana e Shqipërisë, si dhe me paketën e modernizimit të Forcave të Armatosura.

“Bashkëpunimi aktual në arsimimin dhe trajnimin e ushtarakëve shqiptarë në Britani është i shkëlqyer, – ka nënvizuar Kodheli, – dhe shpresojmë të vazhdojmë në këtë rrugë pasi modeli juaj është ai i duhuri”.

Më pas, dy ministrat e Mbrojtjes u ndalën në zhvillimet pas Samitit të Uellsit, duke u fokusuar kryesisht te kriza në Ukrainë dhe konflikti në Siri e Irak me të ashtuquajturin shtet islamik. Të dy ministrat shprehën nevojën e intensifikimit të shkëmbimit të informacionit mes dy vendeve për sa i përket luftëtarëve të huaj në këto konflikte dhe kriza. Duhet theksuar se, kontributi shqiptar në luftën kundër shtetit islamik u vlerësua fuqishëm nga sekretari britanik i Mbrojtjes, z. Michael Fallon. Në këtë kontekst, ministrja Kodheli falënderoi palën britanike për ndihmën e dhënë në transportimin e armëve dhe municioneve që Shqipëria kontribuoi në ndihmë të qeverisë së Irakut.
Po kështu, të dy autoritetet e larta vlerësuan stërvitjet e përbashkëta mes Forcave të Armatosura të dy vendeve dhe diskutuan idenë e vazhdimit të formatit të stërvitjes “Abanian Lion” edhe në të ardhmen.

Gjatë qëndrimit në Londër, ministrja Kodheli është takuar edhe me personalitete të tjera në Ministrinë Britanike të Mbrojtjes, si dhe në Ministrinë e Jashtme. Në fokus të këtyre takimeve ishte nevoja për intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta përballë sfidave të reja që po përballet Aleanca. Si në takimin me ministrin për Forcat e Armatosura, z. Julian Brazier, ashtu dhe me drejtorin e Mbrojtjes dhe Sigurisë në Ministrinë e Jashtme, z. Peter Jones, u vu theksi tek vendosja dhe forcimi i standardeve për një Forcë të Armatosur që t’i përgjigjet sfidave të kohës.
Zonja Kodheli mbajti dhe një leksion në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (Royal United Service Institute, RUSI), ku në fokus ishin sfidat e vendeve të Ballkanit Perëndimor përballë krizave në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli mori pjesë gjithashtu në ceremoninë e graduimit të kadetëve ushtarakë në Akademinë Mbretërore Ushtarake të Sandhurstit. Kadetja shqiptare, Albana Strori, përfundoi me sukses ciklin e edukimit për vitin 2014. Gjatë kësaj ceremonie, Kodheli u takua edhe me personalitete të tjera ndërkombëtare, si ministrja gjermane e Mbrojtjes, znj. Ursula von der Leyen.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: