Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli mori pjesë në ditën e dytë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë, e cila po zhvillon punimet në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme në datat 13-15 korrik.

Ministrja Kodheli ishte e ftuar në panelin “Evropa e ekspozuar: Plotësimi i mangësive në arkitekturën tonë të sigurisë”, ku ishin gjithashtu të pranishëm ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës z. Enver Hoxhaj, ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri, i Dërguari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Turqinë dhe vendet anëtare të EFTA-s (European Free Trade Association), z. Ernst Reichel dhe këshilltari i kryeministrit për Çështjet e Sigurisë, gjeneral brigade (R) Sandër Lleshi.

Sfidat aktuale të sigurisë me të cilat Aleanca përballet, ministrja Kodheli i identifikoi si 3R (Rusia, radikalizmi dhe refugjatët), për të cilat ajo tha se “Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, ka një angazhim serioz.

“Samiti Varshavës vendosi vazhdimin e zbatimit të një strukture të ngritur tashmë prej kohësh, ku Shqipëria ka pjesën e saj shumë të rëndësishme me angazhimet e saj serioze. Që në 2014, vit në të cilin Rusia pati këtë agresion ndaj Krimesë dhe një pjese të territoreve të Ukrainës, Shqipëria ishte një ndër vendet e cila në krah të vendeve aleate NATO, u shpreh qartësisht lidhur me qëndrimin e saj politik dhe me angazhimet ushtarake dhe politike të Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s.” – tha ajo.

Në këtë kuadër, ministrja Kodheli përmendi angazhimin e Shqipërisë në Task–Forcën e Gatishmërisë Shumë të Shpejtë (Very High Readiness Joint Task Force, VJTF) me një kompani këmbësorie, e cila ashtu si edhe strukturat e tjera të FA i është nënshtruar modernizimit dhe pajisjes me armatim të ri.

“Për herë të parë, Forcat e Armatosura, për shkak të modernizimit masiv në këto dy vitet e fundit, do të kenë armatim dhe municion të standardeve NATO. Do të kenë pajisje të standardeve NATO dhe do të kenë transportin e tyre strategjik. Të gjitha këto do të bëhen me buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.” – deklaroi Kodheli, e cila përmendi edhe rritjen e buxhetit të mbrojtjes me 12%, të fokusuar siç tha ajo “tek modernizimi dhe rritja e investimeve për FA.”

Duke folur për ngjarjet në Siri dhe krijimin e Daesh atje, Kodheli tha se “Shqipëria ishte ndër vendet e para që ngriti shqetësimin për rrezikun në rritje në kufijtë jugorë të NATO-s, dhe pasojat që ky kërcënim do të sillte më pas”.

“Ngjarjet në Paris, Bruksel dhe disa ngjarje në Ankara, por dhe ngjarje të ndodhura me pasojë vdekjen e shumë qenieve njerëzore, kanë treguar që radikalizmi është një fenomen, i cili duhet jo vetëm të përballet, por të studiohet që në qelizë, që në gjenezë.” – shtoi ministrja Kodheli, e cila solli në vëmendje projektin e vendit tonë për të ngritur në Shqipëri një qendër ekselence të NATO-s për studimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj, e cila ka hyrë në fazën teknike tashmë.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në misionet dhe operacionet e NATO-s ishin një tjetër temë e prekur nga ministrja Kodheli, e cila nënvizoi dyfishimin e pranisë së kontingjentit shqiptar në misionin “Resolute Support” në Afganistan dhe dërgimin e një ekipi çminimi në misionin e BE në Mali.

Ministrja Kodheli nuk la pa përmendur edhe kontributin e ushtarakëve shqiptarë në KFOR Kosovë dhe ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë. Në fund znj. Kodheli theksoi rëndësinë e integrimit në BE dhe NATO të vendeve të rajonit, çka sipas saj, do ta bënte Ballkanin Perëndimor një rajon më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.

Konferenca e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë është platforma më e lartë e diskutimit për politikën e jashtme, ku përfaqësuesit tanë në botë takohen dhe ndajnë pikëpamje me autoritetet më të larta te vendit, të cilët ndikojnë në hartimin dhe orientimin e politikës sonë të jashtme.
Në këtë aktivitet marrin pjesë ministra, parlamentarë, vendimmarrës evropianë, studiues shqiptarë e të huaj nga BE-ja, SHBA-ja, Rusia, Turqia, rajoni etj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: