BRUKSEL- Takimi i ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s ka nisur sot në Bruksel, ku kanë përcaktuar dhe piketat kryesore mbi të cilat do të diskutohet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Aleancës. Gjatë kësaj dite, ministrat trajtuan dhe hodhën hapa konkretë mbi forcimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Në veçanti, ata diskutuan mbi konceptin e NATO-s për frenimin e rreziqeve dhe mbrojtjen (Deterrence and Defense). Në këtë pikë, u ra dakord mbi vendosjen dhe madhësinë e forcës të përparuar të NATO-s në kufijtë lindor të saj, si dhe vijimi i punës për të shqyrtuar propozimet për të shtrirë këtë vendosje dhe në zonën e Detit të Zi.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e cila po merr pjesë në këtë takim, nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për të dhënë kontributin e vet në ndërtimin e një mbrojtje moderne dhe efikase të NATO-s.
Ministrja shprehu mbështetjen e vendit tonë për vendosjen e trupave në kufijtë lindor të Aleancës ku Shqipëria mbetet e angazhuar të konsiderojë pjesëmarrjen e saj, në të ardhmen. Ajo, gjithashtu, nënvizoi se vendi ynë do të vijojë të luajë një rol aktiv në Aleancë duke mbështetur kontributet në kuadër të Planit të Veprimit të Gatishmërisë Shumë të Lartë.

Tregues i kësaj është fakti se Shqipëria merr pjesë në stërvitjen që sapo përfundoi “Brilliant Jump 2016”, ndërkohë vijon stërvitjen “Anakonda – 16” në Poloni.

Duke u ndalur tek rreziqet dhe sfidat që burojnë nga Jugu i Aleancës, Kodheli theksoi se vendi ynë mbështet hapat e ndërmarrë deri në këto momente, megjithatë, vijoi ajo, ne duhet të krijojmë kushtet më të mira për të kuptuar rrënjët e problemit, ndaj në këtë drejtim vendi ynë po përshpejton përpjekjet për vendosjen në Tiranë, të qendrës së ekselencës së NATO-s kundër rrezikut të luftëtarëve të huaj. Së fundmi, ministri i Mbrojtjes nënvizoi se Shqipëria, si vend aspirant për në BE, është e gatshme të mbështesë çdo axhendë që forcon bashkëpunimin NATO-BE, në Samitin e Varshavës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: