TIRANË- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli priti në një takim Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, Dr. Ralf Brauksiepe, i cili në krye të një delegacioni të lartë po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. I pranishëm në këtë takim ishte edhe ambasadori i Gjermanisë i akredituar në Tiranë, Hellmut Hoffman dhe atasheu ushtarak, nënkolonel, Guido Altendorf.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pasi i uroi mirëseardhjen në Tiranë, z. Brauksiepe,  e falënderoi për ndihmën që Gjermania i ka dhënë ndër vite Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për edukimin dhe trajnimin e personelit ushtarak, si dhe për mbështetjen e dhënë për integrimin e Shqipërisë në BE, sidomos në marrjen e statusit të vendit kandidat.

Më tej ministrja Kodheli ka theksuar se Shqipëria vazhdon të mbetet një promovues i politikës së dyerve të hapura të Aleancës dhe në këtë kuadër përshëndet ftesën që ka marrë Mali i Zi për t’u anëtarësuar në NATO. Duke u ndalur në zhvillimet në Kosovë, ministrja Kodheli theksoi se ne jemi duke ndjekur nga afër zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe mbështesim dialogun ndërmjet gjithë faktorëve politikë. Veçanërisht ajo vlerësoi kontributin gjerman në misionin e KFOR-it në Prishtinë.

Një temë tjetër diskutimi ishte edhe kriza e refugjatëve që ka prekur Europën, si dhe rreziku serioz jo vetëm për Europën, por për të gjithë botën, që vjen nga kërcënimet terroriste të ISIS. Gjithashtu ministrja Kodheli nënvizoi kontributin e FA Shqiptare në misionin trajnues të BE-së në Mali,  “EUTM, Mali”,  së bashku me forcat gjermane.

Nga ana e tij, Sekretari i Shtetit të Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë, z. Ralf Brauksiepe, ka falënderuar ministren Kodheli për pritjen që ajo i rezervoi atij dhe delegacionit që e shoqëronte dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në stabilitetin në rajon, si dhe besueshmërinë në lidhje me partnerët. Po kështu, ai u shpreh i kënaqur për marrjen e ftesës për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, duke theksuar rëndësinë që ky vendim ka për rajonin.

Z. Ralf Brauksiepe shprehu dëshirën për të rritur bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve nëpërmjet edukimit dhe trajnimeve të përbashkëta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb