Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi organizoi një takim me drejtues të institucioneve arsimore nga e gjithë Shqipëria, të cilët kanë pasur rezultatet më të mira në maturën shtetërore, në shkollën e drejtoreve, etj..

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha strukturave dhe aktorëve në realizimin me sukses të Strategjisë së re dhe kapërcimin e sfidave në arsim, Ministrja Kushi tha se arsimi ka nevojë për një frymë të re në drejtimin e institucioneve arsimore, duke filluar që nga institucionet më të larta e në çdo nivel të hijearkisë së drejtimit të institucioneve arsimore.

“Kemi nevojë për frymë të re, energji të reja dhe kontribute të reja. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit parauniversitar ka bërë një punë kolosale dhe duhet ta pranojmë. Është një institucion që u ngrit i ri dhe i ka përballuar me sukses tërmetin dhe pandeminë, por edhe shumë vështirësi të tjera që kemi hasur gjatë kësaj periudhe. Në vazhdim të punës së mirë që është bërë, dhe për shkak të nevojës për energji të reja, për ritme të reja më të shpejta ne kemi shpallur sot thirrjen për drejtues të DPAP.

Do jemi shumë rigoroz dhe sa i takon inspektimeve. Vitet e fundit inspektimet nuk kanë qenë në nivelin e duhur në gjithë institucionet arsimore, inspektimet, vlerësimet, monitorimet janë aspekt shumë i rëndësishëm për të identifikuar problematikat e përmirësuar më pas.

E dimë nevojën për drejtues të aftë e profesionistë, nuk është nevojë jo vetëm në Shqipëri por në gjithë vendet. Roli i drejtuesit është kyç për performancën e këtyre institucioneve.

Nisur nga kjo nevojë në 2019 u krijua shkolla e drejtorëve që garanton trajnim të detyrueshëm për aktualët e ata aspirantë. Mendoj që nuk mjafton vetëm profesionalizmi, duhen dhe karakteristika të tjera, përvoja, integriteti dhe ajo që mund të jetë më e rëndësishme përkushtimi, pasioni dashuria për arsimin, pra 4 cilësi që një drejtues i institucioneve arsimore duhet patjetër ti ketë.

Kjo është sfida që ne të kemi drejtues të aftë dhe të suksesshëm. Jam e bindur që këta njerëz i kemi”, tha ministrja”- u shpreh ministrja Kushi.

Më tej ajo ka ftuar drejtuesit e institucioneve arsimore nga gjithë Shqipëria që i kanë përvojën,  profesionalizmin, integritetin, përkushtimin dhe dashurinë për arsimin, të aplikojnë për këtë thirrje, në mënyrë që të sjellin energji të reja, frymë të re dhe suksese të reja në arsim.

“Jam e bindur që kemi shumë mes nesh. E rëndësishme është që të kemi sa më shumë konkurrentë. Ju ftoj të gjithëve që të aplikoni që së shpejti të kemi një drejtues të ri në DPAP” – u shpreh Kushi.

“Mos na përsëriten problematikat e kaluara me Maturën shtetërore. Një moment kyç ka qenë hartimi i testit, ne i jemi rikthyer metodës për hartimin e testit në kushtet e një sigurie të lartë por duke përfshirë mësuesit më të mirë, që testet t’i përgjigjen e reflektojnë programin e gjithçka që nxënësit kanë bërë.

Grupi i punës ka parë dhe gjithë kuadrin ligjor të procesit që të bëjmë përmirësimet për vitet në vijim. Kemi material për disa ndryshime që do bëjmë jo për këtë mature por vitet e ardhshme. Sapo të kemi vendimmarrje do i bëjmë publike që nxënësit të informohen në kohën e duhur për maturën shtetërore për vitet e ardhshme apo vitet që do vijnë”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: