TIRANE– Mirela Kumbaro është ministrja më jetëgjatë në dikasterin e Kulturës. Përfshirja e saj në politikë, sipas saj nuk ka qenë diçka e menduar më parë, pasi përkushtimi më i madh ka qenë për familjen e saj dhe jetën akademike e profesionale. E ftuar në “Këndin e Ekselencës” në “Vila 24”, ministrja Kumbaro, njëherazi deputete e Partisë Socialiste për Qarkun e Gjirokastrës, ka rrëfyer detaje nga jeta e saj.

Kumbaro thotë se vendimi për përfshirjen në politikë nuk ishte vetëm i saji, por i gjithë familjarëve të saj, bashkëshortit të saj, gazetarit Aleksandër Furxhi, dhe dy fëmijëve.

Teksa thotë se origjina e saj është nga Gjirokastra, Mirela Kumbaro tregon edhe qëndrimin që kanë patur prindërit e saj lidhur me vendimin për t’u përfshirë në politikë.

Në studion e “News24”, ajo tregon se babai i saj ka qenë kundër përfshirjes së Mirelës në politikë.

“Babai im ishte kundër përfshirjes sime në politikë. Sot ai nuk jeton më. Prindërit e mi kanë qenë të dy arsimtarë, shumë të përkushtuar. Por mënyra sesi diktatura i trajton njerëzit e ndershëm dhe të drejtë është e dhimbshme, u heq të drejtën e fjalës dhe shprehjes së mendimit të lirë. Dhe kjo bën që të krijohet një mendim ndryshe për politikën. Ndaj im atë ishte kundër”, shprehet Mirela Kumbaro.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: