TIRANE – Kryeministri Edi Rama deklaroi dy ditë më parë se ka ardhur koha që shkollat publike të hapin dyert për njohjen e besimeve fetare. Në një aktivitet të organizuar nga Komuniteti Mysliman, Rama u shpreh se projekti i qeverisë nuk cënon laicitetin e shkollës.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka reaguar sot në lidhje me këtë projekt, duke theksuar se në shkolla nuk do të futet mësimi i fesë, por mësimi i kulturave fetare. Sipas ministres së Arsimit Lindita, lënda do të jepet nga mësues të trajnuar dhe jo nga klerikë.

Ministrja sqaroi se nuk bëhet fjalë për një projektvendim, por është një nismë me ndihmën e ekspertëve. “Po operojmë me observatorin e laicitetit me diplomatët”- tha ministrja Nikolla.

Fillimisht projekti do të zbatohet në 10 shkolla pilot, në klasat e gjashta dhe në vitin e parë në gjimnaz.

“Lënda hyn si projekt pilot në 5 shkolla 9 vjeçare dhe 5 të mesme. Projekti do të diskutohet me akademikët dhe mësuesit do të trajnohen. Do të jetë një lëndë e veçantë ‘Historia e besimeve fetare’ për klasën e gjashtë dhe viti i parë në gjimnaz, ku nuk do të predikohet feja. Kjo lëndë do të jepet nga mësues dhe jo nga klerikë”, deklaroi ministrja.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: