TIRANE- Kanë degjeneruar në sharje dhe fyerje replikat në Kuvend mes Ben Blushit dhe Lindita Nikollës në lidhje me reformën në arsimin e lartë. Nikolla duke iu përgjigjur Blushit dhe deputetes Hafizi e ka cilësuar Blushin si injorant ekzemplar që do të marrë në qafë njerëz, ndërsa Blushi e akuzoi se ka rrënuar arsimin e lartë. Por i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kryeministrit që ka mbrojtur Nikollën dhe i kërkoi Blushit t’i kërkojë falje. Rama akuzoi Blushin se është një mbeturinë e KPD-së dhe flet pa fakte.

“Ti je një injorant ekzemplar, që shkruan libra e do të marrësh më qafë me injorancën tënde. Nuk panikon askënd se nuk ke bërë asgjë përveç se ke anatemuar dhe ke thurur lavde vetes tënde, asgjë s’ke bërë të njoh shumë mirë edhe përçmimin tënd për këdo që flet dhe këdo që ke pasur pranë. Të kam pasur afër në mbledhje e si përçmon e neverit ti, mendja jote e ndritur. Zonja që foli, e kam parë si është shkërmoqur figura e saj në kohën që u bë shoqja jote e ngushtë”- u shpreh Nikolla.

Por pas kësaj është kundërpërgjigjur Ben Blushi i cili tha se Nikolla ka kërkuar 3 mijë euro për një vend pune, ndërsa tha se ndan lekët me bodigardin.

“Ka pasur qindra ministra një prej tyre je ti zonjë, askush nuk do mbahet mend ndoshta, por ti do mbahesh si personi që kërkoje 3 mijë euro për një vend pune, u arrestua bodigardi yt, të të vijë turp ty që e mban ministre këtë, ti mund të jesh ministre arsimi, e ke shkatërruar arsimin, jo se nuk kupton, jo se ky që të ka vënë ty nuk kupton se e injorante, ndan lekë me bodigardin, herë tjetër kur të cohesh këtu, mati fjalët zonjë, se do merrem veten me ty se injoranca jote është e padurueshme”- tha Blushi

Rama u kundërpërgjigj duke mbrojtur Nikollën, ndërsa tha se Blushi duhet t’i kërkojë falje ministres së Arsimit Lindita Nikolla.

“Është një ulërime e turpshme ndaj Nikollës për dikë që i thotë vetes libër. Ai i bën jehone qytetarit dixhital të Saliut. E vërteta është se nje mësuese gjimnazi dhe një drejtoreshë gjimnazi është ministria e Arsimit që tha se po reforma mund të bëhet. Zotëria do mbahet mend se shkurtoi bankat. Arsyet i di vetë. Nuk çuditem nga fjalor vulgar. Sot mos fol më se u çorodite nga disa të vërteta që nuk kam asgjë personale por thjesht një marrëdhënie me poetikën dhe me punën. Në vendin tënd do i kërkoja falje për fyerjen që i bëre Nikollës. Ti vetëm ke shpifur dhe ke akuzuar të gjithë për çfarë të thotë ty mendja, çfarë dëgjon nga qytetari dixhital i Saliut. Në këtë sallë sot ka vetëm një të zezë, smira jote që të verbon shikimin. Je një mbeturinë e KPD-së dhe asgjë më shumë. Flet pa fakte dhe gënjeshtra. Faktet dhe shifrat nuk janë romane, Ke bërë personazhin e vetvetes. Turp të të vijë për atë që fole për Linditën”- tha Rama.

Ndërkohë pas deklaratës së Ramës, Blushi u kundërpërgjigj duke thënë se do vazhdojë të flasë për vjedhjet që bëhen.

“Unë nuk iki asgjëkundi, edhe kur mos të jeni, po ju torturon të gjithëve një i marrë, unë këtu do jem, prapë do them kush ishte injorant. Kam 27 vjet kam qenë student, ky që vjen këtu e bëni gjyq publik, injorancës asnjë falje nuk i kërkoj, ai që po torturon studentët të kërkojë falje, isha në Lushnje, takova një zonjë, me leucemi, djali ishte ekselent, për shkak se e ëma nuk kurohej s’kishte mundësi, djali la shkollën se e ëma nuk kishte 500 mijë lekë tarifë që e ka caktuar kjo zonja, e la shkollën për kaq lekë, kaq lekë i vjedh bodigardi i kësaj, kjo është Shqipëria që keni ju, shkoni takoheni, humbi jetën se kjo zonja me bodigardin i kërkon 3 mijë euro që të shkojë në shkollë. Para që do i marrë kjo do i bëjë vëth e unaza ja kjo është Shqipëria e degraduar, do e luftoj çdo dite”- tha Blushi.

Pas deklaratës së Blushit ka replikuar Nikolla e cila e ka quajtur mashtrues.

“Do ti shkojmë deri në fund këtij mashtrimi ordiner. Jo vetëm që nuk ke qenë në Lushnje por dhe mashtron. Nuk ka lidhje fare tarifa 500 milekshe që thua. Jepe emrin këtu”-tha Nikolla.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb