PRISHTINE- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot në Prishtinë ministren e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. Në takim mori pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Kosovës, Arsim Bajrami.

Kryetari Veseli u njoh nga Ministrja Nikolla dhe Ministri Bajrami për aktivitetet e përbashkëta në fushën e legjislacionit për arsimin, duke theksuar përkushtimin për ngritjen e cilësisë në arsim, arsimin profesional, përafrimin në fusha të caktuara, si dhe unifikimin e programeve të mundshme arsimore parauniversitare dhe universitare.

Në takim u fol edhe për përafrimin e kurikulave në arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe Ligjin për profesionet, të hartuar në pajtim me të arriturat më të larta të arsimit evropian, duke e vlerësuar këtë si epokë të re të arsimit për të dyja vendet.

Kryetari Veseli i falënderoi ministrat për përkushtimin e tyre dhe angazhimin e vazhdueshëm drejt avancimit të arsimit në të dyja vendet, me theks të veçantë për përmbajtjet që shpijnë përpara drejt një shoqërie të arsimuar dhe të aftë për tregun e punës, lehtësimin e qasjes në arsim, me bashkëpunimin në nivelin universitar e parauniversitar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe me aftësimet profesionale që merren nga arsimi profesional.

Një pjesë e punës së përbashkët në fushën e legjislacionit në mes të dy ministrive do të nënshkruhet gjatë këtij muaji nga dy qeveritë, Kosovës dhe Shqipërisë, duke shënuar kështu një nivel të ri të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e arsimit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka vizituar sot edhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK), ku është pritur nga Akademik Hivzi Islami, kryetar, dhe anëtarët e Kryesisë së AShAK-ut.

Akademik Islami bëri një prezantim të veprimtarisë së Akademisë, sfidave nëpër të cilat ka kaluar ASHAK që nga themelimi në vitin 1975. Islami theksoi se AShAK-u, si tempulli dijes dhe artit, është institucion plotësisht apolitik, mirëpo asnjëherë nuk ka qëndruar indiferent ndaj të gjitha zhvillimeve në Kosovë, përfshirë zhvillimet politike me interes nacional.

Islami përkujtoi se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është anëtare e një numri të madh asociacionesh akademike të Evropës, përfshirë ALLEA-n (Federata Evropiane e Akademive), pjesë e së cilës AShAK-u u bë vite përpara se Kosova të bëhej shtet i pavarur, që ishte një konfirmim i pranimit të punës së AShAK-ut. A theksoi se ASHAK bashkëpunon me një numër të madh të akademive të rajonit dhe më gjerë dhe se bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë ka qenë dhe mbetet synim i përhershëm i AShAK-ut , me të cilën Akademia Kosovare ka nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi dhe ka punuar bashkë në një numër projektesh të rëndësishme.

Ministrja Nikolla çmoi lart punën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës si dhe rolin që ka luajtur në avancimin e dijes dhe artit kosovar në kohë shumë të vështira por jetike për Kosovën. Ministrja Nikolla shoqërohej nga Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, si mikpritës i saj gjatë vizitës në Kosovë.

Gjatë vizitës në Kosovë, ministrja e Arsimit dhe e Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla zhvilloi një takim edhe me ministrin kosovar të Diasporës, Valon Murati, me të cilin ra dakord në parim që në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive të procedojnë për nënshkrimin e marrëveshjes për unifikimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.

Ky projekt është punuar tanimë dy vjet nga grupet e ekspertëve të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si dhe Ministrisë së Diasporës, ndërsa ka për qëllim unifikimin dhe standardizimin e mësimit të gjuhës shqipe për diasporën, licencimin e mësimdhënësve dhe projekte të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit, kulturës, traditës, historisë dhe gjuhës shqipe në diasporë.

“Do t’ju mbështesim si Ministri e Diasporës në të gjitha përpjekjet tuaja që i ndërmerrni në të mirën e diasporës sonë. E kemi detyrim si Qeveri që t’u mundësojmë bashkatdhetarëve tanë mësimin e gjuhës, traditës, kulturës dhe historisë ”, theksoi ministrja Nikolla në takimin me ministrin Murati.

Në anën tjetër, ministri i Diasporës, Murati, përshëndeti gatishmërinë e ministres Nikolla për të nënshkruar këtë marrëveshje jashtëzakonisht të rëndësishme për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.

“Ne, së bashku, do t’i diskutojmë edhe modalitetet e punës për mësimin plotësues në diasporë. Qasja ndaj gjeneratave të reja duhet të jetë më inovative, duke përfshirë edhe teknologjinë informative. Kjo marrëveshje do t’i sjellë dobi jo vetëm diasporës sonë, por edhe dy shteteve tona”, tha ministri Murati.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: