Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të Ministrave të Jashtëm, të “Grupit të Miqësisë mbi Përgjegjshmërinë/Llogaridhënien”, referuar agresionit rus në Ukrainë.

Ministrja Xhaçka u shpreh se situata në Ukrainë, më shumë sesa një dënim, kërkon përgjegjësi.

Ministrja Xhaçka theksoi se përgjegjësia ka të bëjë me dakordësimin e së vërtetës: se për një kohë të gjatë bota nuk ka arritur t’i kërkojë Rusisë llogari.

“Sado e pakëndshme që mund të jetë, ne jemi këtu për shkak të zgjedhjeve të Putinit, por edhe për shkak të vendimeve tona. Mbajtja e Rusisë përgjegjëse është gjithashtu për të mos lejuar që historia të përsëritet. Ka prova të vështira për t’u hedhur poshtë të sulmeve të qëllimshme kundër civilëve, të cilat janë të ndaluara nga ligji ndërkombëtar humanitar dhe përbëjnë krime lufte. Është detyrë e jona të ndihmojmë dhe mbështesim këtë proces të ekspozimit të së vërtetës dhe të komunikimit të kësaj të vërtete me synimin për t’i dhënë fund luftës. Shqipëria e ka përqafuar me gjithë zemër këtë nismë dhe do të mbështesë të gjitha përpjekjet për të mbledhur prova dhe dokumentuar mizoritë e luftës në Ukrainë”, deklaroi kryediplomatja shqiptare Xhaçka në fjalën e saj.

  • foto galeri
  • foto galeri

Pas denoncimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për aktet e kryera nga Rusia, si dhe në vazhdimësi të mekanizmave që janë ngritur nga Komuniteti Ndërkombëtar, për të mbajtur para përgjegjësisë autorët e krimeve të luftës, Shqipëria, Kolumbia, Danimarka, Ishujt Marshall, Holanda dhe Ukraina bashkëthemeluan këtë forum ndër-rajonal shtetesh, që i dedikohet sigurimit të përgjegjësisë për krimet e kryera në Ukrainë.

“Grupi i Miqësisë mbi Përgjegjshmërinë/Llogaridhënien” ka si qëllim shkëmbimin e informacionit ndërmjet shteteve, organizatave ndërkombëtare, institucioneve dhe shoqërisë civile, duke optimizuar procesin e llogaridhënies dhe drejtësisë por dhe angazhimin e shteteve më të vogla në këtë proces.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb