Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Ankara me ftesë të homologut të saj, Ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu. Xhaçka vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve dhe rolin e Turqisë në rajonin tonë, teksa theksoi se bashkëpunimi rajonal mbetet çelësi për përballimin me sukses të kërcënimeve ndaj sigurisë.

“Jemi shumë të kënaqur që intensifikimi i dialogut politik është shoqëruar me një rritje domethënëse të bashkëpunimit dypalësh. Sot diskutuam konkretisht mbi bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe tregtisë. Vërejmë me kënaqësi se në vendin tonë ka një trend të vazhdueshëm, pozitiv dhe në rritje të investimeve turke. Aktualisht kemi arritur nivelin e 800 milionë dollarëve në vëllimin tregtar, që është shifër goxha domethënëse, por që e dimë se nuk pasqyron realisht potencialin që ekziston mes vendeve tona. Megjithatë, ne e shikojmë të ardhmen me optimizëm, të inkurajuar nga projektet të reja te investimeve, që tashmë janë duke u zhvilluar në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë”, tha kryediplomatja shqiptare në deklaratën e përbashkët për shtyp.

Ministri Çavuşoğlu përshëndeti nisjen e negociatave Shqipëri-BE dhe vlerësoi përpjekjet e vendit tonë në bashkëpunimin rajonal. Sipas tij, Turqia do të vazhdojë mbështetjen ndaj Shqipërisë për zhvillimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtëse të saj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Jemi të kënaqur që Shqipëria ka nisur negociatat e anëtarësimit me BE. Vendi juaj është anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në një kohë të vështirë. Ne vlerësojmë përpjekjet e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe kemi mbështetur e do të vazhdojmë të jemi gjithmonë pranë Shqipërisë vëllazërore”, u shpreh Ministri Çavuşoğlu. Në vitin 2023, Shqipëri dhe Turqia shënojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: