Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, i është përgjigjur kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili prezantoi sot vizionin e tij për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë në vend, ku ndër të tjera premtoi paga mujore 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët.

Në një reagim në “Facebook”, ministrja Manastirliu thekson se “fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar gjendjen e shëndetësisë në kohën e katrahurës së atyre që sot paturpësisht shpallin vizione për shëndetësinë”.

Manastirliu publikon disa foto, që sipas saj, tregojnë gjendjen e mjerueshme të shëndetësisë në kohën e qeverisjes së PD, ku shihen minj, grumbuj plehrash e dhi në ambientet e qendrës më të madhe spitalore në vend.

Reagimi i Manastirliut:

FJALËT nuk mjaftojnë për të përshkruar gjendjen e shëndetësisë, në kohën e KATRAHURËS së atyre që sot paturpësisht shpallin vizione për shëndetësinë. Ja, këto pamje/fakte ilustrojnë qartësisht vizionin e tyre. Nuk janë realizuar në vendgrumbullime mbeturinash, por janë shkrepur mu në zemër të qendrës spitalore më të madhe në vend vetëm 6 vjet më parë!

Ishte koha kur profesorë, mjekë dhe infermierë të nderuar, qytetarë hallexhinj dhe të sëmurët duhej të punonin dhe merrnin shërbimin ekzaktësisht në këto mjedise. Koha kur Qendra Spitalore më e madhe në vend nuk dallonte pothuaj fare, nga një treg i gjësë së gjallë, ushqimeve të çastit dhe fanellatës, ka ikur një herë e mirë.
KTHIM PAS NUK DO TË KETË! Puna për #ShëndetësinëQëDuam vazhdon?pa u ndalur kudo në Shqipëri! PS: Fotografia e parë është shkrepur në shërbimin e Kardiologjisë, të cilin Doktori “e deshi” dhe “e mbështeti” aq fort…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb