Analisti Skënder Minxhozi komentoi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, votimet nga anëtarësia e Partisë Demokratike për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit.

Duke folur për skualifikimin e Klevis Balliut, Minxhozi tha se pyetja është se pse ai duhej kandiduar në Pogradec, kur është investuar në Astir, në protestën e banorëve kundër ndërtimit të Unazës së Re.

Më tej, analisti theksoi se votimi brenda PD është ndërtuar mbi bazën e një kurthi dhe do të jetë pjesa e fundit, ajo e përzgjedhjes nga Kryesia, që do të tregojë të vërtetën.

“Pyetja ime është ‘pse një njeri që investon në Astir shkon e kandidon 140 km larg, në Pogradec’? Ne nuk i dimë dinamikat që i kanë rrëzuar ata, edhe kryetarë bashkie. Votimi ka qenë i ndërtuar mbi bazën e një kurthi. Pse duhet të jetë votimi negativ? Një votim i tillë mund të jetë selektiv. Procesi ka tre pjesë, por do të presim edhe pjesën e fundit për të gjykuar. Kam përshtypjen se te përzgjedhja, do vijë lista, do ta marrë komisioni në dorë, dhe aty do të ndodhë ajo alkimia e kandidaturave. Aty do të ndodhë ‘magjia’, ai i fundit do të dalë i pari dhe e kundërta. Ne do të presim çfarë do të vendosë Basha për listën”, tha Minxhozi.

Po kështu edhe politologu Roland Lami deklaroi se “Do jetë vendimtarë vendimi i Kryesisë për të përzgjedhur listën përfundimtare, ku do të shihet nëse do të ketë reflektim”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb