Analisti Skënder Minxhozi, foli në ‘Real Story’ për rezultatet e zgjedhjeve lokale të zhvilluara në Kosovë, duke u ndalur tek arsyet se përse Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të fitonte asnjë komunë.

Gjithashtu Minxhozi shtoi se Kurti erdhi në pushtet duke premtuar gjithçka, por kur mori pushtetin sipas tij , kryeministri i Kosovës kuptoi që sfida ishte akoma më e vështirë.

Sipas tij rezultati është ndëshkim për Vetëvendosjen , pra ishte vetë Kurti me sjelljen e tij shkaktoi këto rezultate.

“U nis për të nxjerrë votuesit e tij në zgjedhje dhe faktikisht mobilizoi kundërshtarët e tij. Ky është fati i një partie populiste kur futet në qeveri, premtimet janë shumë të gjëra, premtojnë gjithçka. Kujtojmë se jo më larg se sot partitë populiste në Itali humbën edhe Romën edhe Torinon. Pra votuesi do më shumë përditshmërinë, pra edhe banorët e Mitrovicës duan përditshmërinë e tyre, se sa të shohin trupa specialë, apo helikopterë në kudo. Erdhi në pushtet duke premtuar gjithçka dhe kur u fut në zyrat e pushtetit Kurti po kupton që është e vështirë. Unë mendoj që është ndëshkim ndaj Vetëvendosjes, nuk besoj se kanë pasur kohë që ta përgjysmojnë Kurtin. Unë besoj që nga shkurti në tetor vetëm Albin Kurti mund ta përgjysmonte Albin Kurtin”, tha më tej ai.

Ndërsa analisti nga Kosova, Ismail Basholli deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka humbur besimin e qytetarëve, duke shtuar se ngjarjet në Mitrovicë vetëm sa dobësuan figurën e Kurtit.

“Të mos harrojmë që në Mitrovicë e gjithë qeveria kanë shkuar të flejë. Kurti ka pasur shprehi që principet e tij të ngrejë shumë lart, kur qytetarët panë që po del tej principeve të tij , humbi besimi. Ai besim është humbur sepse Kurti ka pasur një periudhë ku fitoi vetëm me moralizimin e tij. Kurti është mësuar të merret me ngjarje të mëdha, por nuk është mësuar të merret me përditshmërinë e qytetarëve”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb