TIRANË-Miq, të afërm, dashamirës dhe kolegë janë përkulur sot me respekt para trupit të pajetë të artistit të madh Met Bega. Rreth orës 11:40 para trupit të pajetë të aktorit të humorit u përkul ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro. ” Me humbjen e humoristit Met Bega kemi humbur një vlerë të jashtëzakonshme për artin dhe publikun. Iku një njeri që i dha shpresë brezave të rinjë për të qenë të lumtur dhe optimist në një kohë, kur optimizmi po venitej. I dha buzëqeshje publikut në një kohë kur buzëqeshja ishte e vështirë. Met Bega kishte buzëqeshje në zemër”- u shpreh Kumbaro pas homazheve.

Edhe deputeti i PD-së, i cili është njëherazi kandidati i opozitës për kreun e Bashkisë së Tiranës, Halim Kosova mori pjesë sot në homazhet e zhvilluara për nder të aktorit të madh të humorit, Met Bega. “Ngushëllime familjarëve e kolegëve. Ata kanë humbur njeriun më të dashur, kanë humbur mikun, talentin që ka lënë një vepër që sa herë të shihet do të na kthejë humorin sido që ta kemi situatën”, tha Kosova.

Homazhet në nderim të aktorit të ndjerë kane nisur prej ores 11:00 dhe do te vazhdojne deri ne oren ­13:00 në ambientet e Muzeut Kombëtar.

KUSH ISHTE MET BEGA
Aktori i mirënjohur i humorit shqiptar, Met Bega u na nga jeta ne moshen 69 vjecare për shkak të sëmundjes së Parkinsonit. Simptomat e para të kësaj sëmundje aktori i ndjehu në vitin 2010, por me kalimin e viteve gjendja e tij shëndetësore nisi të përkeqësohej. Met Bega lindi më 7 gusht 1946 në Tiranë. Ai iu kushtua për 40 vite artit dhe skenës shqiptare. Ai bëri debutimin e tij të parë në skenën amatore të shkollës dhe artit në Teatrin e Tiranës. Filmi i parë ku ka debutuar ishte në vitin 1986 me një rol të vogël në filmin “Dy herë mat”. Gjithashtu ka luajtur pesë role në filma me metrazh shqiptare. Ndër filmat që ka luajtur aktori Bega kujtohet, “Edhe ashtu edhe kështu” në vitin 1989, “Stolat në park” në vitin 1988 dhe “Tela për violinë”, në vitin 1987.
Aktori i mirënjohur Bega ka marrë disa çmime, mes tyre urdhrin “Naim Frashëri i Artë” në vitin 2010.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: