I ftuar në emisionin ‘Rrugëtim me Anilën’ në  ‘News24’,  Myslim Murrizi ka folur për miqësinë në politikë dhe aktivitetin e tij jashtë ekraneve, duke u ndalur edhe tek familja.

‘Në politikën shqiptare vë re se në 30 vite jemi qeverisur nga ish-komunistë dhe ata janë ateistë nuk besojnë në Zot. Ata e shikojnë veten në karrige. Këta punë e quajnë vjedhjen dhe ngaqë janë të pangopur mendojnë se do të jenë të përjetshëm. Njeriu ka një cikël, puna është të mos bëhesh salcë pa të ardhur vakti. Emri rron më gjatë se kufoma, lum ai që lë emrin e mirë të rrojë sa më gjatë’, u shpreh ai.

Ai gjithashtu u shpreh se sipas tij, miqësia brenda politikës ekziston, ndoshta mund të jetë pak e vështirë që të besohet, por sipas tij politikanët nuk duhet të ndahen në të majtë dhe të djathtë.

‘Patjetër që ka, unë nuk i ndaj në të djathtë dhe të majtë, ky është një pisllëk i gatuar në vitet ’90. Unë nuk mund të quaj një të djathtë një njeri që nuk beson në Zot, që i ka rënë me shqelm pronës. Është një supë peshqish ku secili pat një qerfull , levrek dhe në 50 vite është trazuar shumë. Unë personalisht kam miq nga PS , nga ajo agrare… Kujtoj Mimi Koledhin, Taulantin që e shajnë gjithandej është ndryshe, Taulanti të flasësh jashtë pjesës politike… Sot ka nga ata që po t’i takosh diku ku nuk i sheh kush të përqafojnë, ndërsa tek kafja e Kuvendit kanë komplekse se mos i shohin në të njëjtën tavolinë…’ tha më tej ai.

I ndalur tek familja, Murrizi tha se ka preferuar që ta mbajë larg politikës, ndërsa tregoi se preferon që të udhëtojë më shumë më makinë.

Po ashtu ai u shpreh se do të donte që edhe fëmijët e tij të jetonin në Shqipëri.

‘Unë lëviz më shumë me makinë sepse e kam pak frikë avionin. Sa i përket marrëdhënies më fëmijët, inatin nuk e kam të gjatë. Si çdonjëri të gjithë gabojmë…Jam një njeri që di të them edhe më fal, por jam shumë i rezervuar dhe përpiqem të jem shumë korrekt.  Jam një njeri që dua të rri me njerëz, dhe e vetëm e kam problem të qëndroj. E pranoj që nuk di të gatuaj. Por unë besoj se si çdo zanat edhe gatimi është një zanat që nuk e bën çdo njeri. Emigrimi është shumë i rëndë edhe pse shumë pak mund të jenë ata që edhe pse janë të plotësuar kanë një boshllëk se nuk jetohet vetëm. Unë nuk e ndërroj me asnjë pasuri në botë një darkë më fëmijët tanë, me familjarë. Njeriu është lakmitar dhe nuk ngopet, por këtu jemi kalimtar. Unë nuk them se jam fukara, por kur nuk të mungon gjë në familje atëherë jam mirë. Nuk e di nëse kam bërë mirë që kam zgjedhur të qëndroj këtu, koha do ta tregojë, por edhe fëmijët do të doja t’i kisha këtu. Më mirë këtu dhe i veshur thjeshtë e në vend të vend, se sa me helikopter privat dhe në Australi’, tha më tej ai, ndërsa shtoi se në nota humori që gazetarët të mos kursehen, por të intervistojnë politikanët dhe ti zhveshin nga petku i politikës: ‘Pallavra shit sa të kesh qejf , ti je baba i kombit e çfarë të duash, por kur nuk kujdesesh për prindërit çfarë kuptimi ka. Thirrini politikanët dhe zhvishini, mos u kurseni në asnjë moment’, përfundoi Murrizi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: