Historia e Amir Rrah manit është e denjë për një film apo dokumentar, që me siguri do të frymëzonte shumë të rinj, jo vetëm të fushës së futbollit. Një djalosh, i cili që në vogëli iu desh të përballej me situatën e një lufte çnjerëzore, por që futbollin nuk e harroi dhe nuk e ndau nga zemra. E nisi te fushat më baltë të Kosovës dhe vetëm para pak ditësh u shpall kampion me Napolin në Serinë A.

Hapat e parë si profesionist Rrahmani i hodhi te Drenica në Kosovë, por trampolinë për të, ku arriti edhe kalimin në Kroaci, ishte Partizani. Historinë më pas të gjithë e dimë. Por si shkoi Rrahmani te Partizani? Në lidhje me këtë kemi pyetur një nga personat, që gëzon një pjesë të meritës së zbulimit të Rrahmanit në Shqipëri, Skënder Gegën, i cili në vitin 2013 ishte trajner i Kombëtares U-21. Gega tregon shumë detaje dhe prapaskena për Rrahmanin, të cilin e quan simbol të punës. Ai zbulon edhe afrimin e Muriqit te Shpresat.

Si mësuat për Amir Rrahmanin?

Rrahmani luante me Drenicën, që në atë kohë ishte grumbulluar në Durrës. Unë në të njëjtën kohë po bëja një “zbor” 3-ditor me lojtarët e kampionatit shqiptar. Më pas na u kërkua të zhvillonim një ndeshje miqësore nga vetë ekipi i Drenicës. Kemi bërë ndeshje miqësore me ekipin e Drenicës dhe që në momentet e para ai ra në sy si lojtar.

Çfarë ju bëri përshtypje më së shumti?

Ra në sy si agresiv dhe ishte një lojtar që dominoi në fushë. Unë nuk e kisha parë asnjëherë më parë, as nuk kisha dëgjuar për të. Ishte i fortë, i ashpër. Dukej shumë korrekt në lojë, por që nuk toleronte dhe ishte gjatë gjithë kohës në fokus. Unë në fakt nuk kam bërë asgjë më ndryshe se ajo që një trajner duhet të bëjë kur përzgjedh një lojtar. Unë vetëm kam qenë i vendosur për bindjet dhe nuk kam bërë hapa mbrapa në asnjë rast. Në rastet konkrete, tani që dikush ka arritur sukses, jam i lumtur dhe asgjë më shumë.
Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb