Lajmi për miratimin e ligjit për importimin e mbetjeve nga vendet e huaja është pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare. Duke iu referuar agjencisë se lajmeve “Associated Press” , publiku ndërkombëtar informohet lidhur me vendimin më të fundit të marrë në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas televizionit amerikan “Fox News”, ligji u miratua edhe pse u kundërshtua nga aktivistët e mjedisit dhe opozita.

“Parlamenti 140-vendesh miratoi ligjin të enjten në një votim ku 63 votuan pro, 27 votuan kundër dhe katër abstenuan” shkruan raporton “Fox News”.

Sipas gazetës “Mineapolis Star”, qeveria e mëparshme fillimisht e miratoi ligjin në vitin 2011, por koalicioni aktual qeverisës i majtë e hoqi atë në vitin 2013 para se ligji të hynte në fuqi. Tani, të majtët kanë ndryshuar qëndrim duke e miratuar ligjin me amendamente.

“Dhjetëra aktivistë protestuan jashtë Parlamentit, duke thënë se Shqipëria do të kthehet në një vend plehrash me pasoja të rrezikshme. Qeveria thotë se ligji i plotëson standardet e Bashkimit Evropian. Shqipëria shpreson të fillojë bisedimet e anëtarësimit në BE”, shkruajnë mediat e huaja.

Kryeministri Edi Rama tha se 130 milionë euro (146 milionë $) janë investuar në katër fabrikat e riciklimit dhe në disa të tjera më të vogla bëjnë të ditur mediat e huaja. Lajmi për miratimin e ligjit për importimin e plehrave është pasqyruar edhe në mediat italiane, si dhe ato rajonale.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: