TIRANE- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas miratimit të projektligjit për dekriminalizimin në Komisionin e Posaçëm Parlamentar. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, kryedemokrati shprehet se me këtë vendim u hodh një hap i madh para drejt realizimit të procesit të dekriminalizimit.

Duke e cilësuar një ngjarje të rëndësishme për demokracinë, Basha thotë se kjo nismë e PD “do t’i japë fund njërës prej njollave më të mëdha të Shqipërisë”.

JA POSTIMI I PLOTË
Një hap i madh u hodh sot me miratimin e projektligjit historik për Dekriminalizimin nga komisioni i posaçëm parlamentar.

Nisma jone tashme me konsensusin e te gjitha palëve do t’i japë fund njërës prej njollave dhe plagëve më të mëdha të Shqipërisë në 25 vite.

Kjo është një ngjarje e rëndësishme për demokracinë shqiptare, që do të vuloset me miratimin e projektligjit në Kuvendin e Shqipërisë dhe me fillimin e zbatimit të tij pa humbur asnjë ditë.

Falënderoj qytetarët shqiptarë që pavarësisht bindjeve politike, mbështetën dhe nxitën fuqishëm kauzën jetike të dekriminalizmit. Falënderime të thella për miqtë dhe partnerët tanë, SHBA dhe BE, ndihma e të cilëve ka qenë dhe mbetet vendimtare për ta bërë dekriminalizmin ligj dhe realitet të jetës tonë politike dhe institucionale.

Kam besim se ky është fillimi i një ere të re, pa krim të veshur me pushtet, pa pushtet të veshur me krim. Për këtë qëllim e nisëm dhe do ta vazhdojmë deri në fund këtë betejë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb