Komisioni për Sigurisë Kombëtare miraton ndryshimet në ligjin për “Policinë e Shtetit”, raporton “BalkanWeb”. Gjatë fjalës së tij ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj lidhur me propozimet për ndryshim të ligjit, tha se është rishikuar terminologjia duke zëvendësuar fjalën “përgjim ambjental”, me “mbikëqyrje”.

Po ashtu ai tha se tashmë strukturën e Policisë së Shtetit se emëron vetë ministri.

Ndryshimi tjetër ka të bëjë me hapjen e një mundësie ligjore, që punonjësit e Policisë së Shtetit të mund të transferohen nga Policia e Shtetit në struktura të tjera shtetërore nëse kjo kërkohet.

FJALA E LLESHAJT
Mirëmëngjes, zonja Kryetare, të nderuar deputetë!

Që nga takimi i fundit lidhur me ligjin për Policinë e Shtetit, ne jemi marrë, kemi reflektuar në respekt të diskutimeve që u bënë në këtë Komision dhe të komenteve të ardhuara nga agjensitë e tjera, nga institucionet e tjera, me qëllim që drafti i ligjit të arrijë në atë trajtë që të gjejë konsensusin e përgjithshëm dhe miratimin e këtij komisioni.

Në thelb janë bërë ndryshime sa i përket terminologjisë, për arsye se pati disa keqkuptime që besoj që ishin të argumentuara sa i përket terminologjisë. Për arsye se shumë veta e keqkuptuan si një ndërhyrje në ligjin e përgjimeve, dhe për dhënie atributesh, kompetencash policisë për të kryer përgjime, me iniciativën e vet dhe nën përgjegjësinë e vet.

Është rishikuar terminologjia duke zëvendësuar fjalën “përgjim ambjental”, me “mbikëqyrje”. Kjo besoj e ka zëvendësuar në thelb shqetësimin e disa kolegëve të komisionit dhe të disa përfaqësueseve të institucioneve. Thelbi i këtij ndryshimi në ligj është neni 131, i cili flet për masat e veçanta.

Sa i përket Komitetit Kombëtar të Politikave për Parandalimin në luftën kundër krimit të organizuar, ai është lënë pak a shumë siç ka qenë. Një komitet i cili harton, kontrollon, monitoron zbatimin e politikave shtetërore në lufën kundër krimit të organizuar dhe në parandalimin e tij, me përbërje që tashmë është e njohur. Ky Komitet ndërkohë është një fakt juridik për arsye se në kuadër të Aktit Normativ nr. 1, dt. 31.01.2020, ky Komitet është konstituuar dhe funksionon krejt normalisht, komiteti është funksional.

Një ndryshim tjetër në këtë draft lidhet me faktin e strukturës së Policisë së Shtetit, miratimit të saj. Në ligjin aktual kompetenca e miratimit të strukturës së Policisë së Shtetit është e ndarë në dy duar, mes Drejtorit të Përgjithshëm dhe Ministrit. Ministri miraton strukturën qëndrore ndërkohë që drejtori miraton strukturat vendore. Në këtë propozim është unifikuar kjo duke e lënë të gjithë strukturën të miratohet nga ministri me propozim të drejtorit në mënyrë që të shmanget krijimi i strukturave nganjëherë që edhe nuk koordinojnë mirë me njëra-tjetrën, për arsye se duke qenë kompetencat në dy duar dalin edhe struktura nganjëherë paralele. Për t’u konsoliduar kjo strukturë është bërë ky propozim.

Ndryshimi tjetër ka të bëjë me hapjen e një mundësie ligjore, që punonjësit e Policisë së Shtetit të mund të transferohen nga Policia e Shtetit në struktura të tjera shtetërore nëse kjo kërkohet. Pra në funksionet shtetërore ku ata kanë kualifikimet dhe për të cilët ka një nevojë. Në momentin që punonjësi i policisë transferohet drejt një vendi tjetër në administratë publike, kryesisht në Ministrinë e Brendshme, apo tek Hetimi Tatimor, apo në struktura të tjera ku ka profil për të, ai nuk i vazhdon t’i gëzojë më atributet e policisë gjyqësore, apo të punonjësit të policisë, pra vjen si civil.

Propozimi i fundit, i katërt, që në fakt nuk është propozimi jonë. Por që mendoj të bashkohet me këtë proces që lidhet me nevojën e paraqitur në kuadër të diskutimeve politike për reformën zgjedhore dhe Kodin Zgjedhor. Ku është propozuar në dijeninë time, ose është rënë dakort sipas një shkrese që kam nga Komisoni i Ligjeve edhe me opozitën, në mënyrë që të parashikohet një amendament në ligjin e Policisë së Shtetit ku i jepen detyra kësaj për të mbështetur procesin e zgjedhjeve, duke ndjekur detyrat që i çohet nga autoritetet që administojnë procesin zgjedhor. Bëhet fjalë për një amendament të përgjithshëm i cili vetëm sa i shton më tepër përgjegjësitë e Policisë së Shtetit për të marrë dhe për të zbatuar detyra nga autoritet përgjegjëse që administrojnë procesin zgjedhor, për mbarëvajtjen e tyre.

Megjithatë ky amendament i fundit do të paraqitet nga Komisioni i Ligjeve por po e përmend meqënëse është nevoja, në vend që të bëjmë dy ndryshime në ligjin e Policisë së Shtetit të bashkohen të dy iniciativat. Në kuadër të një iniciative dhe në fund të dalim me një ndryshim të ligjit sepse janë në të njëjtën kohë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb