TIRANE- Buxheti i shtetit edhe për këtë vit nuk shpëtoi nga rishikimi nëpërmjet Aktit Normativ. Në mbledhjen e së enjtes, Qeveria ka miratuar Aktin Normativ me ndryshimet e buxhetit të vitit 2018.

Në buxhetin e rishikuar mungojnë 4 mld lekë nga të ardhurat dhe shpenzimet. Kjo ulje duket se është reflektuar nga luhatja e monedhës euro në kursin e këmbimit.

Sipas buxhetit fillestar të ardhurat arrinin në 357 mld lekë ndërsa shpenzimet në 389 miliard lekë, të dy këto tregues janë ulur me 4 miliard lekë duke mbajtur të pandryshuar deficitin.

Po ashtu qeveria në aktin normativ ka krijuar dhe një portofol të veçantë për shpërblimet për pensionistët dhe familjet në nevojë e njohur ndryshe si paketa e solidaritetit. Bëhet fjalë për 3 mld lekë të cilat janë parashikuar për shpërblimet e fundvitit për këtë kategori.

Ministria e Financave thotë se ndërhyrja bëhet për nxitjen e mëtejshme të investimeve publike dhe rritjes së eficencës së përdorimit të burimeve përmes shtesave në favor të projekteve me ecuri më të mirë. Akti normative do të miratohet në shtator në Kuvend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb