Menjëherë pas miratimit të buxhetit të bashkisë Berat për vitin 2020,ka reaguar fuqishëm dega e Partisë Demokratike të këtij qyteti.

Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se kryetari i PD-së Berat Gazment Azizi ka deklaruar se pikërisht në kohën kur gjendja ekonomike sa vjen dhe përkeqësohet, kur jemi në kushtet e mungesës së vendeve të reja të punës, kur bizneset po falimentojnë si rezultat i taksave dhe tarifave të larta dhe rënies së fuqisë blerëse dhe në kohën kur shqiptarët kanë marrë rrugët e botës me shpresën për një jetë më të mirë, Bashkia Berat aplikon tarifa të çmendura në Paketën Fiskale të vitit 2020.

Sipas Azizit,kjo paketë do të vështirësojë edhe më shumë jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e aktivitetit të biznesit beratas.

  • foto galeri

“Vetëm një kryebashkiak i babzitur dhe një këshill bashibozukësh, të cilët shikojnë vetëm interesat e tyre, mund të jenë kaq të papërgjegjshëm sa të çojnë drejt falimentimit qytetarët dhe biznesin beratas”-ka thënë Azizi.

Sipas tij, aplikimi i tarifës së re për infrastrukturën arsimore duhej të shoqërohej më parë me seanca dëgjimore me qytetarët,duke bërë transparente investimet e domosdoshme për përmirësimin e kësaj infrastrukture, duke pasur parasysh faktin që numri i nxënësve është duke rënë në mënyrë të ndjeshme nga viti në vit dhe si rrjedhim një numër i madh  shkollash janë mbyllur dhe priten të mbyllen në vazhdimësi.

Azizi ka deklaruar se,tarifa në  vlerën prej 250 lekësh për çdo familje beratase,1 000 lekë për biznesin e vogël si  dhe 5 000 lekë në vit për biznesin e madh është absurde. Ai ka thënë se,deri në fund të këtij viti vlera e tarifave që një familje beratase ka paguar gjithsej ka qënë 3000 lekë në vit,ndërsa në vitin 2020 do të paguajnë 4700 lekë pra 1700 lekë me shume ose 57% më shumë se më parë.

Një rritje të pajustifikueshme në buxhetin 2020-sipas Azizit-kanë pësuar edhe tarifat e Pastrimit,Gjelbërimit dhe Ndriçimit.

Azizi ka deklaruar se babëzia për të vjedhur dhe rrjepur sa më shumë të jetë e mundur shenjë e qartë e filozofisë së KÇK-së është shprehur qartë në këtë paketë fiskale 2020,edhe kundrejt biznesit. Sipas tij, biznesi i vogël ka paguar mesatarisht rreth 16 400 lekë në vit tarifa ndërsa me paketën e re do të paguajë 25 500 lekë,    pra 9 100 lekë me shume ose 56% më shumë. Por ai që goditet më shumë nga ky buxhet-sipas Azizit-është biznesi i madh, që deri tani ka paguar mesatarisht 40 100 lekë tarifa në vit dhe në vitin 2020 do të paguajë rreth 68 000,pra 28 000 lekë më shumë ose 70% më shumë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb