Këshilli Bashkiak i Tiranës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për ngritjen e Këshillit Artistiko-Kulturor të Tiranës. Në bazë të këtij vendimi ky këshill ka karakter këshillimor dhe vepron pranë Bashkisë së Tiranës për shqyrtimin, vlerësimin dhe miratimin e projekteve kulturore dhe sportive, që ato të jenë në përputhje me prioritetet e politikave kulturore të Bashkisë Tiranë. Gjithashtu këshilli do të ketë një rol vendimmarrës në përcaktimin e kalendarit vjetor të veprimtarive kulturore – artistike dhe sidomos të atyre që tani përbëjnë traditën e qytetit.

Këshilli Artistiko-Kulturor i Tiranës në përbërje të tij do të ketë personalitete të spikatura nga fusha të ndryshme të artit, kulturës, sportit dhe të shkencës. Bien në sy mes 9 anëtarëve të këtij këshilli emra si ai i aktorit dhe Artistit të Popullit, Robert Ndrenika, aktores Yllka Mujo, trajnerit të sportit të futbollit, Ylli Tomorri apo edhe piktorit Helidon Haliti.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në prezantimin e këtij vendimi para Këshillit Bashkiak theksoi se përfaqësuesit e këtij këshilli do t’i bënin nder çdo bashkie në vend. “Është një listë që ka edhe një përfaqësim e mbulim të shumë fushave të artit. Jam i sigurt që është një këshill që do të japë një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e mëtejshëm të jetës kulturore të qytetit”, tha Veliaj.

Pjesë e vendimit të sotëm të Këshillit Bashkiak ishte edhe miratimi i pagesës së çdo anëtari me 4 500 (katër mijë e pesëqind) lekë për çdo mbledhje.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb