NGA ORNELA MANJANI*

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miraton ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje deri në vitin 2014. Nga ky proces do të përfitojnë 60 ndërtime të realizuara pas vitit 2009. Ligji që kaloi dje vetëm me votat e maxhorancës zbatohet për objektet pa leje, të ndërtuara përpara datës 27 qershor 2014, me funksion banimi, për veprimtari ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore dhe që posedohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar. Këtu përfshihen edhe ndërtimet pa leje, për të cilat subjektet nuk kanë kryer aplikimin për legalizim, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj. Objektet ndihmëse, në shërbim të ndërtimeve pa leje legalizohen vetëm në qoftë se janë ngritur brenda sipërfaqes së parcelës ndërtimore. Ndërtimet pa leje që nuk u përgjigjen kushteve të përcaktuara më sipër trajtohen në përputhje me dispozitat e ligjit nr.9780, datë 6.7.2007, “Për inspektimin e ndërtimit”, të ndryshuar”.
PRONËSIA
Në rastin e ndërtimeve me funksion banimi, si rregull, sipërfaqja e parcelës për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë duhet të jetë deri në masën e trefishit të bazës së ndërtimit, por në çdo rast jo më e madhe se 500 (pesëqind) m˛. Për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik zbatohet vetëm kriteri i trefishit të sipërfaqes së bazës së ndërtimit.

Kur për shkak të përmasave ose konfiguracionit të parcelës ndërtimore krijohen sipërfaqe të lira që nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, ato i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Kalimi i së drejtës së pronësisë për këto sipërfaqe kryhet vetëm nëse poseduesi i ndërtimit pa leje shpreh vullnetin nëpërmjet një kërkese me shkrim.

Lista e poseduesve të objekteve pa leje dhe sipërfaqet e parcelave ndërtimore, për të cilat kryhet kalimi i pronësisë miratohen nga Këshilli i Ministrave. Procedurat dhe rregullat e hollësishme që ndiqen nga ALUIZNI për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore përcaktohen me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave”. Për regjistrimin e pasurisë së legalizuar në regjistrin e pasurive të paluajtshme, ZRPP-ja zbaton dispozitat e ligjit nr.9062, datë 8.5.2003, “Kodi i Familjes” mbi regjimet pasurore martesore”. Rregullat e bashkërendimit të punës ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZRPP-së, si dhe procedurat apo kufizimet që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
DEBATI
Genc Ruli: Rilindja nuk po sjell asgjë të re, gjithçka bëhet për fushatë. Shpërndarja me spektakël e titujve të pronësisë ka vetëm një motiv, atë elektoral. Është detyrë e juaja të shpërndani certifikata pronësie. Do na dalë ministri Beqaj të shpërndajë certifikata lindjeje.
Artan Gaxhi: Duhet të përcaktohet një afat për legalizimet për ata që kanë plotësuar dokumentet. Nuk është normale që këta njerëz të presin emrat kur të dalin në media.
Artan Lame: Janë rreth 60 mijë objekte që presin të legalizohen. Nuk jemi marrë fare me bllokun e ndërtimeve pas 2009 dhe nuk i dimë periudhat e ndërtimit. Eduart Shalsi: Angazhimi i institucioneve aktualisht është më i madh për legalizimet. Ne kemi pasur problem gjithmonë bazën e të dhënave.

PAGESAT

1. Pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare dhe me bono privatizimi.
2. Bonot e privatizimit, të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit.
3. Vlera e parcelës ndërtimore që i shitet poseduesit të ndërtimit pa leje paguhet menjëherë në momentin e njoftimit me shkrim nga ALUIZNI, duke përfituar reduktim të vlerës.
4. Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, kur subjekti është në kushtet e paaftësisë paguese, ka mënyra alternative dhe procedura për shlyerjen e vlerës së parcelës.
5. Çmimi favorizues i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion banimi dhe të përzier (social-ekonomik dhe banimi). Kategoritë e subjekteve që përfitojnë falje të pagesës, përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb