Kreu i shtetit Ilir Meta, gjatë një deklarate bërë sot në “Forumin e Lirisë Ballkanike”, ku është miratuar rezoluta “Për intensifikimin e përpjekjeve në luftën kundër trafikimit njerëzor dhe sigurimit të një mbrojtje efektive për viktimat e trafikimit”, deklaroi ndër të tjera se është një sfidë e madhe në nivel global lufta ndaj këtij fenomeni.

Presidenti i vendit tha se janë ende 100 mijë persona që trafikohen në Ballkan dhe nga Ballkani, ndërsa 17% e viktimave në BE janë nga vendet tona të rajonit.

“Presidenti Ilir Meta ka marrë sot pjesë në Forumin për “Lirinë Ballkanike”, ku është diskutuar miratimi i rezolutës “Për intensifikimin e përpjekjeve në luftën kundër trafikimit njerëzor dhe sigurimit të një mbrojtje efektive për viktimat e trafikimit”.
Kreu i Shtetit theksoi se trafikimi i qenieve njerëzore është një problem real për Ballkanin dhe sipas tij të gjitha qeveritë dhe partnerët duhet të angazhohen për të realizuar një plan më afatgjatë dhe të qartë për të luftuar organizatat kriminale në këtë drejtim.
“Kemi të bëjmë me një fenomen tepër shqetësues në vendet tona, që synojnë të bëhen anëtare të BE, ku të drejtat e njeriut janë mjaftë të rëndësishme dhe ku dinjiteti i çdo qytetari duhet të vlejë mbi çdo gjë tjetër. Dua të theksoj se kjo është beteje shume e vështirë. Është e qartë se kemi të bëjmë me një sfidë të nivelit botëror. Është një sfidë sepse është një biznes me 150 miliardë dollarë fitim nga trafikimi, që tregon një organizim të jashtëzakonshëm dhe që padyshim nuk mjafton të përballet vetëm me angazhim të sinqertë dhen deklarata politike apo rezoluta”, tha Meta.

Presidenti theksoi se në këtë drejtim kemi shumë për të bërë. “Fakti që vendet e rajonit tonë janë ende problem për BE dhe Britaninë e Madhe. Fakti që gjithashtu jemi duke dalë nga kufizimet e pandemisë, do të thotë se rreziku i rritjes së viktimave është ende i madh nëse nuk do të ketë një ndërhyrje energjike nga të gjitha vendet në nivel rajonal, evropian dhe botëror. Ende 100 mijë persona vijojnë të trafikohen nga Ballkani. Ne jemi të gjithë vende që duam të bëhemi anëtar të BE, ndaj është për të ardhur keq sepse duhet të adresojmë këto çështje që lidhen me problemet sociale ekonomike që krijojnë këtë vulnerabilet për fat të keq për vajza e gra dhe të rinj që bien pre e këtij rrjeti kriminal ndërkombëtar dhe vendas. Ndëshkueshmëria është ende në nivele minimale, dekurajues. I Dimë edhe vështirësitë që kemi edhe për shkak të Reformës në drejtësi për shkak të numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Duhet të angazhohet edhe Kuvendi më tepër për të parë se sa fonde alokohen për këtë qëllim, si funksionon drejtësia në këto raste, për të parë angazhimin serioz të vazhdueshëm të institucioneve. Për të parë se sa raste kemi të pastrimit të parave, sa prej pasurive janë sekuestruar dhe kanë shkuar para drejtësisë mendoj se është temë e rëndësishme dhe suksesi që do kemi në këtë drejtim varet nga vazhdimësia, presioni që shoqëria, grupet e interesit do ushtrojnë ndaj institucioneve në vend”, deklaroi Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb