MIRDITE – Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses një operacion antidrogë në fshatin Malaj të Mirditës, ku u asgjësuan 1893 rrënjë kanabis sativa. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar tre persona, mes të cilëve është kryeplaku i fshatit, Agron Vokrri, nën akuzën e moskallëzimit të krimit dhe shpërdorimit të detyrës.

Ndërkohë shtetasi Gentian Skeja, 26 vjeç, banues në Mat, dyshohet si kultivues i 1893 bimëve narkotike të gjetura në 4 parcela në fshatin Malaj, ndërsa Fran Vokrri, 50 vjeç, banues në fshatin Malaj Mirditë, u arrestua pasi në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan 7 kg lëndë narkotike.

“Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me efektivat e Komisariatit të Policisë Mirditë , në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, si dhe në zbatim te planit Operacional kanë finalizuar me sukses operacionin antidrogë.
Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin “Malaj ” në Mirditë Lezhë, në një zonë të pyllëzuar rreth 500m pranë banesave të lagjes, në 4 parcela janë gjetur dhe asgjësuar me anë të djegies 1893 bimë kanabis sativa. Gjithashtu po gjate operacionit, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Fran Vokrri janë gjetur dhe sekuestruar 7 kg lëndë narkotike Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës” “Moskallëzim krimi” parashikuar nga nenet 248 dhe 300 I Kodit Penal ndaj shtetasit Agron Vokrri. “Kultivim i bimëve narkotike” parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal ndaj shtetasit Gentian Skeja. “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal ndaj shtetasit Fran Vokrri.”- thuhet në njoftimin e policisë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: