NGA ENDRIT PODA
Një natë e ftohtë nëntori. Në telefonin tim më vjen një lajm i rëndë: «U nda nga jeta prof. Arben Puto. I paharruar qoftë kujtimi i tij!» E pamundur!
Në mes të hidhërimit, thashë me vete: Si është e mundur të ketë ikur Profesori?! Të tillë njerëz janë të pavdekshëm. Si për të mbytur sadopak mërzinë, gjeta ngushëllim te vargjet e Dritëroit: «Por kur të jesh mërzitur shumë/ Në raft të librave kërkomë/ Aty do jem i fshehur unë/ Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë/ Mjafton që librin pak të heqësh/ Dhe unë do të zbres do të vij pranë teje(…)»

I ndoqa udhëzimet e të madhit Dritëro. Nxora nga rafti i librave të mi librin e Profesorit «Lufta Italo-Greke, bashkëpunëtorë dhe kuislingë» dhe e rilexova me një frymë. Një kryevepër shkencore që do t’ia këshilloja çdo brezi për ta lexuar. Është një detyrim që kemi ndaj Shqipërisë mësimi se kush sakrifikoi për një mëmëdhe të lirë dhe të drejtë. Menjëherë, trishtimi i lë vendin etjes për punë dhe kërkime shkencore. A nuk do të donte Profesori që çdo i ri dhe e re shqiptar(e) energjitë e pashtershme të rinisë t’i kthente në krijimtari të dobishme?!

Teksa lexon veprat e Profesorit, ritakohesh me të dhe e mposht lehtësisht mallin e largimit fizik. Mesazhi i mikut tim paskësh qenë i rremë. Jo, Profesori nuk qe shuar. Ai ndodhej aty në çdo fjalë, fjali, fakt historik, tezë, antitezë, silogjizëm juridike dhe përfundim bindës. E kështu dhimbja fshihet. Asnjë ligj natyre nuk qenka kaq i fortë sa të mposhtka madhështinë e veprës së Profesor Putos.

Nuk kam qenë student i Profesor Putos. Por si jurist dhe i pasionuar pas historisë kisha lexuar shumë vepra të tij. Për rrjedhojë në vitin 2012, për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë, më lindi ideja për ta ftuar Profesorin të mbante një kumtesë në Universitetin e Gjenevës. Profesori ma plotësoi dëshirën dhe erdhi. Ai ligjëroi për 40 minuta në frëngjisht rreth “Historisë së Shqipërisë dhe Institucioneve juridike nga viti 1912 deri në ditët e sotme”. Pyetjeve të të pranishmëve Profesori iu përgjigj me argumente tepër bindëse, gjithmonë duke i qëndruar besnik metodave shkencore.

Pas kumtesës, ne studentët shqiptarë të Gjenevës u ndjemë sa krenarë aq edhe të turpëruar. Asnjëri prej nesh, edhe pse vite të tëra mbi supe studimi në frëngjisht, nuk do të ishte në gjendje të ligjëronte në të tillë mënyrë në gjuhën e Molierit. Njëri prej nesh nënvizoi me të drejtë se ligjërimin nuk e bënte bindës gjuha, por shkenca. Dikush që zotëron shkencën zotëron dhe gjuhën. E askush tjetër nuk mund ta zotëronte më mirë shkencën sesa Profesor Puto.

Profesori nuk spikaste vetëm në Historinë e Shqipërisë dhe në të Drejtën Ndërkombëtare Publike. Nuk do të më hiqet kurrë nga mëndja një bashkëbisedim në një darkë mes Profesor Putos dhe Profesorit të Historisë së Institucioneve Juridike në Universitetin e Gjenevës.

Në tema krejtësisht neutrale, si për shembull Revolucioni francez ose Riunifikimi i Italisë dhe i Gjermanisë, profesori zviceran dëgjonte me vëmendje dhe duke mbajtur shënim argumentet e profesorit shqiptar. Për mua një skenë e tillë ishte si shembja e një miti. Në rritje e sipër isha bombarduar me aksiomën se profesorët shqiptarë mbajnë gjithmonë shënim konkluzionet e profesorëve të Perëndimit. Por ja që Profesor Puto vërtetoi thjeshtësisht të kundërtën.

Ndihem me fat dhe i privilegjuar që munda ta njoh dhe të bisedojë me Profesor Puton. Falë bisedave me të mësova shumë, mbi të gjitha rëndësinë e punimeve shkencore dhe se si ato nuk duhet të jenë vetëm në dobi të interesit vetjak, por dhe në dobi të atij social. Nuk ma nxë kurrë goja të të them lamtumirë Profesor, por vetëm mirë u lexofshim.

*Doktorant, Asistent Shkencor në Qendrën e së Drejtës Bankare dhe Financiare të Universitetit të Gjenevës, Zvicër dhe Kërkues Shkencor në Institutin e së Drejtës Ndërkombëtare Private dhe Krahasuese Max Planck – Hamburg, Gjermani

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: