Nga FATMIRA NIKOLLI*

Institucionet shtetërore nuk mund të vendosin sipas opinioneve që ndryshojnë në lirinë e tyre, të respektuar gjithsesi, por në bazë të kufijve dhe hapësirave që u njeh ligji”, kështu është shprehur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, sa i takon çështjes së Komanit. Nisur nga debatet e shumta dhe kundërshtitë mbi një vendim të marrë në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë (pranë MK) që lejon kalimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë në sitin arkeologjik, Kumbaro ka reaguar përmes një postimi në faqen e saj në rrjetin social “Facebook”, duke iu dhënë përgjigje edhe shumë pikëpyetjeve të shtruara para saj nga komentues të ndryshëm. “Gazeta Shqiptare”, ka botuar një sërë intervistash me specialistë dhe anëtarë të KKA-së mbi këtë çështje, e në këtë kuadër, po i japim hapësirë edhe sqarimit të ministres.

“Nëse misioni i arkeologëve që e kuptojnë shumë mirë se ç’domethënë zonë A dhe zonë B, do ta kishin konsideruar të paleju-eshme ndërhyrjen në hapësirën ku kalojnë shtyllat, do e kishin shtrirë zonën A më tej, dhe KKA do të kishte gjykuar e vendosur, në përputhje me propozimin e tyre. Përderisa ka ligje, rregulla, përkufizime, kjo do të thotë se duhet të respektohen në vendimmarrje. Kjo është metodologjia që të gjithë specialistët e fushës e dinë shumë mirë” – ka shënuar ministrja, në një postim që e cilëson “një shpjegim të detajuar të Ministrisë së Kulturës lidhur me përmbajtjen e vendimit të KKA-së në fjalë”.

Në vijim, ajo sqaron se, “opinioni i ekipit të arkeologëve kërkues, u lexua dhe u mor në konsideratë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë pa u vënë fare në dyshim, ndonëse mungonin drejtuesit e projektit dhe nuk deleguan përfaqësues të tjerë nga ekipi i tyre. Vetë KKA përbëhet po aq nga ekspertë të njohur të arkeologjisë dhe nga përgjegjës të institucioneve të përgjegjshëm për çdo vendim që merret”. Kumbaro vëren se zonifikimi i propozuar prej misionit të arkeologëve, – ndonëse nuk ka marrë ende formë ligjore, u konsiderua i mirëqenë, pasi aktualisht zona e mbrojtur me ligj, që në vitin 1963, është vetëm Kalaja e Dalmacës dhe nekropoli, – tregon se cila është zona që nuk duhet prekur dhe cila është ajo që me përkufizim lejon ndërhyrje, e sipas saj, ky kufizim u respektua plotësisht dhe në përputhje me ligjin për trashëgiminë.

Zhvendosja e linjës
Ligji i trashëgimisë, i ndan sitet arkeologjike në zona A (të një rëndësie parësore) dhe zona B (të një rëndësie dytësore), e nëse në të parën ndalohet kategorikisht ndërtimi, në të dytën, ai lejohet me mbikëqyrjen e specialistëve. Përballë ligjit, vendimi i marrë është krejtësisht i pastër.
Megjithatë, për shkak të rëndësisë që paraqet Komani, shumë prej njohësve të trashëgimisë, sikundër edhe ekipi i arkeologëve që punon në Koman (prej shtatë vitesh) kanë kërkuar që linja e tensionit të lartë të zhvendoset, në mënyrë që asnjë nga shtyllat të mos kalojë në zonat që përbëjnë sitin. Zhvendosja, sipas ministres është marrë parasysh edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, por ndërkaq, ajo jep tri arsyet pse linja nuk u zhvendos. Për të qenë sa më të saktë, po e vëmë të plotë sqarimin e Kumbaros: “Mundësia e një zhvendosjeje edhe nga Zona B, ndonëse e pajustifikuar ligjërisht, u ngrit e u diskutua gjatë në KKA me përfaqësuesit e OST. Ata shpjeguan se:
– po aty kalon edhe linja ekzistuese e tensionit të lartë Koman-Elbasan, prej të cilës duhen ruajtur nga shtylla në shtyllë distancat e sigurisë e të rrezikut që janë të përcaktuara dhe nuk mund të ndryshohen.
– duke qenë se në atë terren është tashmë e hapur traseja për linjën ekzistuese, do të shfrytëzohet po kjo trase për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Ky faktor paraqet interes edhe nga pikëpamja e ruajtjes së trashëgimisë, sepse hapja e një traseje të re do të thotë gërmime të reja në terren, çka shmanget në rastin konkret.
– relievi është i tillë që zhvendosjet e linjës bëhen të pamundura në distanca të pranueshme dhe kërkon rishikim total të projektit me rëndësi mbarëkombëtare dhe rajonale, që sjell dy pasoja të mëdha: një kosto shtesë prej qindra mijëra eurosh nga buxheti i shtetit; dhe vënie në rrezik të marrëdhënieve kontraktuale me qeverinë gjermane që është financuese e këtij projekti me rëndësi strategjike dhe me kosto shumë milionë euro”.

E megjithatë, në cilësinë e kreut të dikasterit të Kulturës, Kumbaro siguron se “këto arsye të fundit nuk do ta ndalonin KKA-në të kërkonte zhvendosje të linjës nëse do të prekej zona A e kërkimeve – e caktuar si e tillë jo nga MK por nga ekipi i arkeologëve – ku dhe ka të dhëna të sigurta për gjurmë të qytetërimeve të trashëguara”.

Në fund, por jo për nga rëndësia, ministrja, për të qetësuar kundërshtarët e vendimit, për të siguruar se vëmendja nuk mungon, por edhe si detyrim që vjen nga Ligji i Trashëgimisë, shprehet se “me kujdesin dhe vëmendjen maksimale për të ruajtur edhe zonën B, KKA ka kërkuar të kryhen sondazhe në bashkëpunim me misionin e arkeologëve, në vendet ku do të hapen gropat për shtyllat që kalojnë në zonën B, duke i ruajtur kështu të drejtën vetes të marrë një vendim të dytë, nëse e sheh të nevojshme”.

Trashëgimia
Përpos sqarimit të mësipërm, ministrja ka falënderuar për interesin ndaj temës, ndonëse i duket “e pajustifikuar zhurma ndërsa kemi dhënë të gjithë informacionin e duhur dhe kemi kërkuar bashkëpunim të arkeologëve për ta ndjekur hap pas hapi dhe institucionalisht çështjen e Komanit”.
Kumbaro, megjithatë, shënon se Ministria e Kulturës dhe ekipet e saj, në terren dhe në qendër, kanë qenë si rrallëherë të vëmendshme dhe të kujdesshme për trashëgiminë të cilën e gjetën pothuajse të harruar prej më shumë se 20 vjetësh.

Në postimin e saj, ministrja gjen rastin për të bërë me dije, edhe nismat e ndërmarra dhe vështirësitë e dala. “Kjo nuk na dekurajon për t’i marrë me radhë gjithë monumentet dhe për të bërë një inventar të plotë siç nuk është bërë prej 35 vjetësh. Dhe ndonëse gjetëm një gropë financiare të papërfytyruar, po punohet çdo ditë për të rimëkëmbur e konsoliduar banesat, kishat, muret… edhe me pak mjete e njerëz por, me shumë përkushtim, ndërgjegje e përgjegjësi” -shkruan Kumbaro. Ajo kujton se ndërkaq, “është detyrë e jona të gjejmë e të ruajmë ekuilibrat e brishtë midis nevojave të vendit për zhvillim e modernizim dhe ruajtjes e mbrojtjes së trashëgimisë”.

E teksa mirëpret mendimet ndryshe, thekson se çdo kontribut është i vyer, çdo kritikë konstruktive është e mirëpritur dhe çdo bashkëpunim e ka derën të hapur në MK, ashtu sikurse të gjithë kemi detyrën ta japim të plotë informacionin për publikun dhe jo të pjesshëm, sepse “detajet teknike” nuk kuptohen në vorbullën e ekraneve, por janë ato që mbajnë shtetin.

Pse kundërshtohet kalimi i linjës së tensionit të lartë?

Të gjithë e pranojnë që Ligji i trashëgimisë e lejon kalimin e kësaj linje, por shumëkush pranon njëherësh se ajo e dëmton sitin e Komanit. “Vendosja e shtyllave të linjës së tensionit të lartë ka tjetër impakt. Ato shkatërrojnë krejtesisht ‘kompleksin e vendbanimit’, pasi ai është një unitet i tërë, me të gjitha shpatet, lartësitë e luginën, të marra së bashku”, ka thënë Etleva Nallbani për “GSH”. Ajo ka shtuar se “Nëse segmenti i linjës nuk ndryshon drejtim, vendbanimi arkeologjik vdes, pasi jo vetëm që s’përdoret dot asnjë mjet i studimit të vendbanimit me teknikat bashkëkohore (gjeofizike, gjeoradar, dron etj etj), për shkak të fushave magnetike që krijohen, por institucionet kërkimore europiane nuk mund të vazhdojnë të investojnë në zbulimin e një vendbanimi për të cilin strukturat e trashëgimisë shqiptare tregojnë kaq pak sensibilitet, duke e çuar drejt shkatërrimit e braktisjes. Si mund të zhvillohet një vendbanim, pjesërisht i shkatërruar nga ndërtime të mëdha të tilla, apo i mbuluar e i përshkuar nga linja të tilla?!” Komani, i njohur historikisht me toponimin Dalmace që në mesin e shekullit 19, si vendbanimi mitik i shqiptarëve mesjetare, Arbërve, shtrihet në disa lartësi. Gjeografia komplekse, perfshin kodër, luginë dhe disa shpate përreth, ku të gjitha së bashku (pas 7 vjetësh gërmime dhe një muaji të tërë survey nga dy specialistë të peizazhit historik) tregojnë se është i organizuar në disa zona e grupime që nga periudha helenistike (shek. III para K.) deri në mesjetë të vonë (shek. XVI).

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb