NGA LAILA BONAZZI*

Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, është ‘kalorëse’ e një imazhi të ri që vendi kundruall nesh po përpiqet të ndërtojë e që ajo si përfaqësuese e tij, me një italishte të përsosur, është e lumtur të na e paraqesë, duke nisur që nga pavijoni interesant kombëtar në Bienalen e Venecias, me titull: “Albanian Trilogy: A Series of Devious Stratagems” (i vizitueshëm deri në 22 nëntor, në Arsenale). Skeleti i një balene të Detit Mesdhe, vrarë në 1963-shin në brigjet shqiptare duke e kujtuar për nëndetëse armike, luan rolin e fantazmës së të shkuarës (artist Armando Lulaj, kurator Marco Scotini). “Deri në 1990, para se të merrte fund izolimi prej diktaturës, ne e perceptonim Mesdheun vetëm përmes librave, ose duke fantazuar konturet e zbehta e të largëta të brigjeve italiane që kujtonim se i dallonim përtej kanalit të Otrantos”, na shpjegon ministrja.

– Pavijoni shqiptar përbëhet prej tri veprash të një artisti 35-vjeçar, ndërkohë që veprat kanë lidhje me ngjarje historike të ndodhura para lindjes së tij. Të rinjtë e Shqipërisë, a e ndjejnë nevojën e rishikimit të së shkuarës së vendit (qoftë dhe në mënyrë artistike) për të ndërtuar një të ardhme?
Sigurisht! 35-vjeçarët e sotëm shqiptarë janë fëmijë të një tranzicioni të mundimshëm; ata u lindën në diktaturë, u rritën në parademokraci, me pasojat e totalitarizmit që prindërit e tyre heqin zvarrë, dhe janë sot në kantierin e pështjelluar të ndërtimit të së ardhmes. Kjo sjell dilema të mëdha individuale, por edhe shumë adrenalinë e energji, që Shqipëria i ka me tepricë. Gjithsecili gjen mënyrën e vet se si e përkthen këtë trinom. Lulaj është artist dhe kjo është gjuha e tij e komunikimit, duke e sjellë historinë e vonë të Shqipërisë përmes qasjes individuale, por që në fund të fundit nuk është vetëm e tij. Është e jona. Mbetet interesante mënyra se si shikues të ndryshëm e lexojnë atë. Dhe më vjen shumë mirë që Shqipëria i flet publikut ndërkombëtar me këtë gjuhë këtu në Venecia, duke i bërë të reflektojnë jo vetëm mbi veprën artistike, por edhe mbi atë se çfarë është Shqipëria. Pyetja juaj ma vërteton këtë gjë.

– Çfarë mund të mësohet për Shqipërinë duke vizituar Pavijonin e Venecias?
Në radhë të parë mësohet që Shqipëria nuk është vetëm klishe, por edhe vlerë artistike. Nuk është thjesht një emër në titujt e kronikës së zezë, por një stacion artistik ku ndalen kritikët, artdashësit, mediat e kulturës. Pavijoni ynë është pavijoni i një vendi me histori të vështirë, të ndërlikuar, që secili prej nesh e mbart mbi shpinë edhe kur i rëndon, por shumë prej nesh e kthejnë në vlerë të shtuar, sepse e dinë që vetëm mbi të, dhe jo pa të, mund ta ndërtojnë të ardhmen. Dhe në këtë qasje kemi ç’mësojmë nga njëri-tjetri. Duam të tregojmë gjithashtu se Shqipëria nuk është vendi i problemeve, por një nga vendet e Europës me qytetërim të lashtë, me kulturë të gjallë, me njerëz të talentuar, me origjinalitetin tërheqës. Nuk është ashtu siç e pandehin, por është vendi që sot duhet zbuluar pa humbur akoma kohë!

– Shqiptarët, ndihen më shumë banorë të Ballkanit apo të Mesdheut?
Ndihen mesdhetarë, sepse aty i hodhi fati, nuk bëjnë dot pa diellin e pa detin; janë rritur me mitologjitë greke e romake, sepse amfiteatrot dhe vendbanimet e lashta i gjen kudo nëpër Shqipëri. Butrinti, parku i mrekullueshëm arkeologjik, pasuri botërore e UNESCO-s, është fantastik! Por po aq ndihen ballkanikë, jo thjesht për shkak të gadishullit, por edhe për motive gjeopolitike. Pra, ndihen edhe ballkanikë, edhe mesdhetarë.

– Po ju, a ndiheni një qytetare e Mesdheut? Çfarë ju bën të ndiheni me të vërtetë mesdhetare?
Unë e kam diellin në lëkurë. Jam shqiptare dhe, si e tillë, pjesa ime mesdhetare është brenda meje. Përveç kësaj, si njeri i kulturës jam përpjekur të marr maksimumin nga rrymat e fuqishme kulturore të Mesdheut.

– Çfarë nuk do prej shpirtit mesdhetar?
Pyetje e vështirë… Ndihem kaq shumë mesdhetare, sa nuk gjej dot një gjë që s’e dua. Edhe të metat e shpirtit mesdhetar i dua.

– Në cilin vit, ditë, orë të një momenti të veçantë të Mesdheut do të kishit dashur të ishit (qoftë dhe në epoka të kaluara)?
Në kohën e Mikelanxhelos dhe të krijimit të universiteteve.

– Po Italia me Shqipërinë, lidhen apo ndahen prej Mesdheut?
Lidhen prej kulturës, prej komunikimit, prej shkëmbimeve ekonomike dhe njerëzore. Ndahen prej ujit që shkon e vjen.

– Çfarë trashëgimie na lë Mesdheu?
Nga figura e Don Kishotit te poezia e poetit sirian Adonis, pasurinë letrare dhe folklorike, traditën e solidaritetit, e në daç dhe marrëzinë mesdhetare hera-herës.

– Tani që vendi juaj nuk ka më nevojë ta përdorë Mesdheun si një rrugë shpëtimi, çfarë mendon kur shikon popuj të tjerë që përjetojnë po atë fatkeqësi, me përvoja ndoshta dhe shumë më të skajshme dhe më të trishta?
Më shumë se dhimbje, ndiej revoltë. Revoltë ndaj faktit që kjo ndodh si një kronikë e paralajmëruar në sy e në dije të vendeve dhe autoriteteve që mund të kishin ndërtuar që në krye të herës një tjetër strategji. Asistencat humanitare nuk janë zgjidhje të qëndrueshme, por operacione shpëtimi të ditës. Marrëdhënia ka dy kahe: edhe strategji integrimi në shoqëritë perëndimore për ata që janë tashmë rezidentë në këto vende, por edhe ndihmë dhe politika zhvillimi në vendet prej nga vijnë fatkeqët. Politikat e asistencës që vijnë nga vendet e zhvilluara janë kryesisht me karakter ekonomik dhe ende nuk po zë vend fakti që investimi më afatgjatë dhe i qëndrueshëm është investimi në arsim dhe kulturë, çka sjell më pas dhe emancipim të shoqërisë dhe vizione të reja.

– Janë kohë të turbullta për Detin Mesdhe; nëse do të kishte një far që do të na udhëhiqte në këtë kohë të vështirë, cili mendoni se do të ishte?
Ky far do të quhej: Arsim dhe Kulturë. Është investimi më i rëndësishëm që njeh njerëzimi!
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: