Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste sëbashku me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi filluan sot një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, ku do të takohemi me autoritetet më të larta të parlamentit dhe qeverisë, me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Arabisë Saudite Abdullah Ibn Muhammad Al Ash-Sheikh.

Balla deklaron se Shqipëria i është mirënjohëse Mbretit të Arabisë Saudite Salman bin Abudalaziz Al Saud, parlamentit dhe qeverisë saudite për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin vllazëror pas tërmetit të 26 Nëntorit. Në konferencën e donatorëve dje në Bruksel Banka Islamike për Zhvillim,ku Qeveria Saudite është aksioneri kryesor, garantoi 365 milionë euro për projekte në 5 vitet e ardhshme në fushën e infrastruktures dhe arsimit, kryesisht në zonat e prekura nga tërmeti. Po ashtu 50 milionë euro të tjera nga IBD do të shkojnë për ndihmë në mbështetje të biznesit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Takimin e parë Ruçi dhe Balla e zhvilluan me Kryetarin e Parlamentit Saudit Abdullah Ibn Muhammad Al Ash-Sheikh. Në fokus të bisedës së takimit ishte procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit, mbështetja dhe solidariteti shumë i madh ndërkombëtar, si dhe u diskutua mbi aspekte të bashkëpunimit dypalësh politik, ekonomik e tregëtar si edhe mbi intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar.

Kryetari i Parlamentit të Arabisë Saudite u shpreh se mbështetja e Arabisë Saudite do të zgjerohet së shpejti edhe në një mbështetje financiare të drejtëpërdrejtë bilaterale.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i shprehu mirënjohjen Kryetarit Al Asheikh për solidaritetin e Arabisë Saudite pas tërmetit të 26 nëntorit dhe nënvizoi se përveç kontributit nëpërmjet Bankës Islamike për Zhvillim, do të mirëpriste edhe një ndihmë të drejtpërdrejtë financiare për mbështetjen e fazës së rindërtimit.

“Bashkëpunimi i shkëlqyer politik midis të dy vendeve duhet të përkthehet në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, tregëtar dhe të investimeve saudite, të cilat janë të mirëpritura në Shqipëri.”, nënvizoi Kryetari Ruçi.

Ndërsa Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla nga ana e tij nënvizoi se “Shqipërinë dhe Arabinë Saudite i bashkon edhe bashkëpunimi i ngushtë dhe partneriteti strategjik me SHBA në luftën kundër terrorizmit. Të dy vendet tona janë partnerë të besueshëm të Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit”, deklaroi Balla.

Kryetari i Parlamentit të Arabisë Saudite Abdullah Ibn Muhammad Al Ash-Sheikh, vlerësoi lart bashkëpunimin dhe marrëdhëniet vllazërore me Shqipërinë dhe vuri në dukje vullnetin e palës saudite, posaçërisht të Mbretit të Arabisë Saudite, Madhërisë së Tij, Salman bin Abdulaziz Al Saud për zgjerimin dhe forcimin e këtyre marrēdhënieve. Arabia Saudite do të vazhdojë të kontribojë për fazën e rindërtimit të banesave të shkatërruara nga tërmeti.

Gjatë takimit u bisedua edhe për aspekte konkrete të bashkëpunimit dypalësh në fushën e turizmit, transportit ajror etj. Së shpejti do të fillojë të funksionojë edhe linja direkte midis të dy vendeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb