Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi së bashku me ministren e Drejtësisë Etilda Gjoni ishin të pranishëm në konferencën me temë “Forcimi i drejtësisë penale nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë të institucioneve të drejtësisë” në kuadër të përvjetorit të pestë të Reformës në Drejtësi.

Ibrahimi deklaroi sot se “Reforma në Drejtësi e rithemeloi sistemin e drejtësisë bazuar, midis të tjerash, në parimin e depolitizimit dhe të vetëqeverisjes së pjesshme të sistemit”.

Ai kujtoi se “vetëm 5 vite më parë, Ministria e Drejtësisë ishte administratori ekskluziv i gjykatave në këtë vend”.

“Ministria e Drejtësisë ishte inspektor i gjykatave dhe gjyqtarëve dhe gjithashtu iniciuesi ekskluziv i procesit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Pa firmën e ministrit asnjë gjyqtar nuk mund t’i nënshtrohej procedimit disiplinor. Në gjysmën tjetër të sistemit të drejtësisë, kompetencat qeverisëse ishin grumbulluar në duart e një njeriu të vetëm që ishte Prokurori i Përgjithshem, që nuk ishte veçse një guvernator fuqiplotë i politikës në sistemin e prokurorisë. Ai zgjidhej dhe shkarkohej me shumicë të thjeshtë nga parlamenti, shërbente pa afat kushtetues dhe në kushtet e mungesës së plotë të llogaridhënies”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi (1)
Ibrahimi (1)

Ai theksoi se sot Ministria e Drejtësisë dhe qeveria duhet t’i drejtohet atyre që njihen si “soft powers” për të kryer detyrat e saj të rëndësishme në fushën e drejtësisë”.

“Sot MD/qeveria duhet t’i drejtohet atyre që njihen si ‘soft powers’ për të kryer detyrat e saj gjithsesi të rëndësishme në fushën e drejtësisë. Në fund të fundit legjitimimi politik që përftohet në proceset zgjedhore, i cili ka tipikisht në themel të tij premtimin e mirëqeverisjes, nuk mund të kuptohet pa mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë”, u shpreh au.

Ibrahimi tha se Reforma në Drejtësi në vitin 2016, nuk ishte thjesht një përpjekje teknike për të bërë të mundur që shërbimi i sistemit të drejtësisë të jetë më i efektshëm. “Ne nuk u mjaftuam me kaq në 2016. Në të vërtetë reforma e vitit 2016 e rithemeloi sistemin e drejtësisë bazuar, midis të tjerash, në parimin e depolitizimit dhe të vetëqeverisjes së pjesshme të sistemit”, shtoi ai.

Ibrahimi theksoi se “sot prokurorët janë pjesëmarrës aktiv në qeverisjen e sistemit në të cilin ata shërbejnë”. “Vendimet mbi karrierat e prokurorëve merren në mënyrë meritokratike e kolegjiale nga KLP. Kjo mënyrë vendimmarrjeje mbi karrierat e prokurorëve është guri i themelit në përpjekjen afatgjatë për të krijuar prokurorin e ri të Shqipërisë të karakterizuar nga profesionalizmi, integriteti e dinjiteti”, tha ai.

“Prokurorët e Shqipërisë duhet të mësohen me lirinë racionale dhe te kushtëzuar që ka sjellë reforma në drejtësi. Natyrisht qe nuk ka dhe nuk mund te ketë liri nga ligji. Liria nga ligji quhet anarki”, tha ai.

Ibrahimi i ka bërë thirrje KLP të sigurohet për profesionalizmin dhe sjelljen etike të prokurorëve të SPAK pasi janë në interes të shoqërisë.
‘SPAK nuk është veçse një operator i sistemit të drejtësisë penale. Sidoqoftë duke pasur parasysh rëndësinë e punës së tij, kushtetua e ka konceptuar si një organ të pavarur e të vetëqeverisur. Pikat e kontaktit të SPAK me botën e jashtme janë Kuvendi dhe këshilli i larte i prokurorisë. KLP, duhet të sigurohet periodikisht për profesionalizmi e prokurorëve të SPAK. ILD dhe KLP janë garantet e sjelljes etike e profesionale të prokurorëve të SPAK në interes të shoqërisë”- u shpreh Ibrahimi.

Ibrahimi ka vlerësuar po ashtu punën e kolegëve, Çela, Kraja dhe Llagami duke i konsideruar si të denjë për statusin e lartë të prokurorit.
‘Më datë 14 qershor institucionet qeverisëse të sistemit të drejtësisë raportuan publikisht para kuvendit për ecurinë e punëve në sektorët përkatës. Ishte interesante të shihje nga njëra anë znj. Llagami si raportuese ekskluzive për zhvillimet dhe problematikat në sistemin gjyqësor, dhe nga ana tjetër të shihje një triumvirat të përbëre nga z. Çela, z. Kraja dhe unë. Mendoj se ky fakt i thjeshtë fizik tregon në mënyrë elokuente raportin e ri të “forcave” në qeverisjen e sistemit të prokurorisë. Natyrisht që është një model më kompleks se ai që kishim, por që i shkon më shumë për shtat statusit të lartë të prokurorit”- shtoi Ibrahimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb