Nga: MIRA BREGU
Gjeneva, ky qytet internacional Zviceran, ky qytet metropol ndërkombëtar me mbi 24.000 ambasadorë, gazetarë, diplomatë e përfaqësues të të gjitha vendeve botërore në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ky qytet në qendër të Europës me mbi 400 mijë banor….mes këtij Mozaiku gjuhësh dhe kulturash, ka, ndodhen -jetojnë-gjenerojnë edhe mbi 15 mijë shqiptarë.

Një i sapoardhur mund ta kuptojë menjëherë, në shëtitje, udhëve të qytetit, kur mes kalimtarësh të shumtë do dëgjoj fraza në shqip. Dhe…një i ri (kjo varet edhe prej natyrës së tij) merr kaq emocion kur tinëz ndjen gjuhën e Nënës, sa është gati përqafimin të dhuroj, në vend të përshëndetjes gjithë gëzim-buzëqeshje !

Edhe pse mes frazash të shkurtra në biseda a telefona, dëgjon shpesh një gjuhë të pazhvilluar, sidomos prej shqiptarësh nga trevat e Kosovës, përsëri dëshira për të shkëmbyer dy-tri fjalë në shqip, është shumë, shumë më e madhe!

E pra, këta mijëra shqiptarë të instaluar në këtë qytet, dikush tërhequr nga familja, dikush nga shkolla apo profesioni, prej vitesh…disa edhe shumë dekadash; nëse do i referohem aktiviteteve artistike-edukative-kulturore, përveç ndonjë mbrëmje muzikore-etnografike-folklorike, rrallë…shumë rrallë kanë shansin të ndjekin një mbrëmje të fjalës artistike, apo të shijojnë një shfaqje komedie-teatrale direkt, shqip nga një aktor profesionist shqiptar!

Vetëm një aktor me përmasat e Mirush Kabashit mund ta kuptojë këtë dëshirë deri në nevojë! Vetëm një përvojë e tillë mjeshtërore-artistike dhe mbi të gjitha njerëzore mund ta kuptojë këtë etje deri në dhimbje!

E pra ky artist me thjeshtësinë e tij, modestinë, mirësinë e tij diti të trokasë ashtu si mes qindra shqiptarëve anembanë botës, edhe mes atyre në Gjenevë, ku si dhuratë, brenda një kohe relativisht të shkurtër, u solli dy vepra teatrale.

Brenda gati dy vitesh publiku shqiptar, në “Teatrin Madalen-Theâtre de la Madeleine” mundi të shoh monodramat e Erik Emanuel Shmid “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, si dhe këtë fundjavë nga Kostas Varnalis “Apologjia e vërtetë e Sokratit”…

Nëse në veprën e parë, nga loja plot mjeshtëri e aktorit, publiku mori mesazhin e harmonisë fetare, dashurisë njerëzore me fjalë të thjeshta-të urta-të qeta, plot mirësi, përulje e njerëzi ; në veprën e dytë, me gjuhën e Sokratit – filozofit të mençur , Mirush Kabashi -ky aktor unik, përmes artit të fjalës, përcolli edhe në Gjenevë, ato mesazhe të mëdha që vazhdojnë të jehojnë nga dhjetëra e qindra skena anembanë botës mbushur me shqiptarë se : Qytetarët duhet të reagojnë ndaj të gjitha padrejtësive, se turmat duhet të arsimohen që të bëhen të vetëdijshëm dhe…Ata që do bëjnë shoqërinë duhet të jenë të urtë, të mençur dhe të drejtë!

Ishte kjo hyrje për të kuptuar edhe më mirë kronikën me pamje dhe intervistat nga organizimi i kësaj shfaqje, por para saj, nuk mund të lë pa përmendur fjalët e Drejtorit të ketij Teatri, që në provat e shfaqjes së parë …: “Ju paskeni një aktor gjigand!” dhe…në fund të shfaqjes i surprizuar thotë :- “Asnjëherë nuk e kam parë këtë sallë të mbushur plot me kaq publik elitar!”

E si mund të ndihesh pas këtij opinioni, përveçse krenar! Një krenari që vjen si rrjedhojë e kësaj figure Kombëtare në artin Shqiptar me vlera të Padiskutueshme!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: