Nga: ZONJA KATERINA

Për marinimin e mishit:
1 kg mish keci / viçi
1-2 lgj vaj ulliri
1 lgj mustardë
1 lgj mjaltë
1 limon (lëng + cipë)
Kripë, piper kokërr i shtypur
Rozmarinë, trumzë

Për lakrat e egra me makarona:
800 gr – 1 kg lakra të egra
1 tufëz labot/pazi
6-7 qepë të njoma
½ pako makarona pene
1 lç turmerik
1 të bardhë veze
½ lëng limoni
1 lgj vaj ulliri

Përziejmë përbërësit e marinadës (vaj ulliri, mustardë, mjaltë, lëng dhe cipë limoni, kripë, piper kokërr të shtypur, trumzë), lyejmë mishin dhe e lemë të qendrojë për të paktën 1 orë. Më pas e vendosim në tavë të piqet në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë për rreth 40 minuta.

Ndërkohë grijmë qepët e njoma së bashku me bishtat. Në një tigan të thellë hedhim pak ujë të ngrohtë dhe shtojmë qepët të cilat i lemë të zbuten pak dhe të ulin vëllimin. Më pas shtojmë lakrat e egra duke i spërkatur me pak kripë dhe piper.

Paralelisht në një tenxhere kemi vendosur makaronat të ziejnë në ujë të vluar me pak kripë në raportin 1 me 1 ½ ujë (pasi makaronat nuk duhet të kenë ujë për të kulluar).

Nxjerrim tavën nga furra dhe nëse mishi ka yndyrë e kullojmë dhe e kthejmë nga ana tjetër. Lakrat e egra dhe makaronat i përziejmë së bashku dhe i hedhim në tavë rreth e rrotull mishit. Përziejmë të bardhën e vezës me kripë, piper, pak turmerik, lëng limoni dhe ia hedhim lakrave të egra. E mbulojmë tavën me një letër kuzhine kalk të lagur dhe e rivendosim në furrë për 35-40 minuta të tjera.
(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb