Akademia e Shkencave i ka përcjellë një mesazh ngushëllimi familjes së Rikard Ljarjas dhe botës së artit për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur shqiptar në moshën 77- vjeçare.

Në vlerësimet që përmend ASH, thuhet se Ljarja ishte misionar i artit dhe tradita e filmit nuk kuptohet pa të.

Po ashtu Ljarja sipas Akademisë së Shkencave do të mbahet për role të frymëzuara e origjinale në filma si mësues, marinar, mekanik.

STATUSI NGA AKADEMIA E SHKENCAVE

Ngushëllim

Me hidhërim të thellë mësuam ndarjen nga jeta të Rikard Ljarjes, personalitetit të madh të skenës teatrore dhe të kinematografisë shqiptare.

Në këtë ditë të trishtuar, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, përmes komisionit të Artit dhe Trashëgimisë Kulturore i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Ljarja, qytetarisë shkodrane dhe mbarë komunitetit artistik të vendit, e më gjerë

Rikard Ljarja ishte një misionar i artit.
E nisi karrierën si muzikant dhe piktor, shkëlqeu si aktor, e vazhdoi si regjisor filmi e teatri dhe e mbylli si shkrimtar dinjtoz, dhe të gjitha këto i realizoi duke mbetur njeri.

Rikard Ljarja hyri në kinemanë shqiptare për ta pasuruar atë me një plastikë të brendshme si rrallë kush tjetër, me aksion dhe me psikologji ndërvepruese. Tradita jonë e filmit nuk mund të kuptohet pa këtë simbol, pa emrin, fjalën, gjestin, zërin dhe profilin e tij unik dhe të pazëvendësueshëm.

Ai do mbetet në mend e celuloid për role të frymëzuara e origjinale si, mësuesi te “Komisari i Dritës”, marinari te “Duel i heshtur”, mekaniku te “Ndërgjegjia” etj, etj.

Si regjisor filmi ka lënë në fondin tonë të artë filmat si “Radiostacioni” dhe “Sketerrë ‘44”. Si romancier “Në një humbëtirë këndej rrotull”.
Rikadi ishte në botën shqiptare edhe një lloj i veçantë i gjinisë tonë humane, që eci mes njerëzve si njëri prej tyre e që jetoi me shqetësimet dhe me hallet e kohëve.

Lamtumirë Rikardi ynë, Rikard i të gjithëve!

ëëë.akad.gov.al

LJARJA Rikard (1943–2020).

Aktor, regjisor, Artist i merituar.
Lindi në Shkodër. Kreu SHLA “Aleksandër Moisiu” (1964) dhe filloi punën në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës.
U aktivizua herët në kinematografi me rolin e Dritanit në filmin “Komisari i dritës” (1966). Ka luajtur mbi 25 role, ndër të cilat si më të arritura vlerësohen: Skënder Guri (“Dueli i heshtur”, 1967), Naimi (“Plagë të vjetra”, 1969), Deda (“Rrugë të bardha”, 1974) etj.
Figurat e krijuara prej tij janë njerëz të përkushtuar të luftës e të punës. Loja e tij dallohet për natyrshmëri, thjeshtësi e vërtetësi. R.L. kishte një portret filmik tërheqës, zë të ngrohtë, nga ku buronte një ndjeshmëri e thellë njerëzore.
Si regjisor R.L. ka realizuar 11 filma, ndër të cilët “Radiostacioni” (1980), “Skëterrë ‘43″ (1980), “Fundi i një gjakmarrjeje” (1983).
Me filmin “Kur hapen dyert e jetës” (1980), R.L. fitoi çmimin “Aleksandër Moisiu”.

Foto: Rikard Ljarja, autoportret

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb