Në politikën bashkëkohore thuajse çdo kandidat serioz është edhe një autor. Për të përballuar emergjencën elektorale, publikimi i një libri politik konsiderohet instrument i domosdoshëm komunikimi, si shenjë e një propozimi të mirëmenduar dhe profesional. Edhe pse shpesh bën më tepër zhurmë akti sesa përmbajtja e librave të tillë, mjedisi politik dhe publik fiton edhe më shumë kur përmbajtja është në lartësinë e aktit. “Misioni im” i Lulzim Bashës e kaloi provën e aktit me sukses të pamohueshëm sa i përket PR-it, pasi në një mjedis sa të varfër në ide të reja aq edhe të pasur në reagime të vjetra, interesi përftohet me lehtësi, edhe pse shpesh në kurriz të përmbajtjes. Sidomos atëherë kur risia qëndron pikërisht tek kjo e fundit.

I tillë është rasti me librin e kandidatit Basha, ndoshta risia më e vlefshme e këtyre zgjedhjeve sa i përket përmbajtjes, por edhe formës. Befasia e publikimit të “Misionit” shënoi një avantazh të dukshëm si akt komunikimi në tërësi, aq më tepër kur në tregun e kandidatëve elektoralë asnjë tjetër në krye të një subjekti politik, i ri apo i stazhionuar qoftë, nuk u ngrit në lartësinë e një propozimi të tillë kaq praktik, qoftë edhe për t’u diferencuar nga të tjerët në besime dhe vlera individuale. Duket se rruga e lehtë, ajo e gjuhës së batutave dhe ekspozimit televiziv, është përqafuar tanimë nga të gjithë aktorët e politikës, në formate gjithnjë e më sipërfaqësore dhe bajate të komunikimit politik. Pa ndonjë surprizë, në terma të përmbajtjes dhe propozimit të vlerës.

Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse libri i Bashës u konsiderua edhe nga më skeptikët ndaj tij si një lloj befasie. Thirrja drejtuar arsyes me anë të “Misionit” nuk mbetet megjithatë thjesht një akt PR-i dhe rëndësia e tij nuk qëndron vetëm tek lëvizja taktike që surprizoi elitën politike dhe madje edhe atë mediatike. Rëndësia e këtij akti qëndron më tepër tek propozimi që mbart dhe ndoshta merr vlerë më të madhe atëherë kur zhurma nis e shuhet, sepse “scripta manent”, pra e shkruara mbetet. 100 faqet e librit të Bashës janë sprova e tij e parë e këtij lloji dhe një test për autenticitetin dhe thelbin e propozimit të tij si kandidat për të qeverisur Shqipërinë. A është kjo përmbajtje dhe ky libër në koherencë me vetë autorin e tij?

Kjo pyetje që përkthen ndoshta skepticizmin dhe emocionin e parë, që u ngrit rreth aktit të publikimit të librit, merr një përgjigjie plotësisht pozitive që në faqet e para kur Basha arsyeton pozicionin e vet në politikën shqiptare, në përputhje me thelbin e tij autentik. Përmbajtja e librit nuk krijon asnjë mëdyshje për autenticitetin e fjalëve dhe propozimeve të Bashës që janë në pajtim me sjelljen e tij politike. “Misioni” i tij është pikërisht aplikimi i një formule normaliteti edhe për qeverisjen e Shqipërisë, një formulë që sikurse shprehet vetë, duke iu referuar Maks Veberit, ka në thelb “legjitimitetin racional” dhe modelin e arsyes, si i përkundërt me modelin e qeverisjes autoritare apo të vullnetit për pushtet.

Duke i bërë thirrje arsyes, Basha evokon përgjatë librit pikërisht atë që përbën edhe propozimin e vetë rrugëtimit të tij politik, normalitetin si një emergjencë demokratike. Nevojën për një formulë tjetër drejtimi dhe qeverisjeje për Shqipërinë, ai e lidh me anormalitetin dhe degradimin demokratik që buron nga ekzagjerimi i pushtetit personal të liderit të fortë ose autoritar që mishëron kundërshtari i tij politik. Basha argumenton se përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme është edhe arsyeja kryesore që e mban demokracinë shqiptare të vonuar dhe të pakonsoliduar, si edhe vendin pa perspektivë të qartë zhvillimi dhe integrimi. Arsyeja elektorale në këtë pikë takon edhe emocionin e përkatësisë dhe identitetit politik. Për Bashën, parakushtin për realizimin e integrimit europian të shqiptarëve, është në gjendje ta përmbushë vetëm Partia Demokratike, e cila që në fillimet e saj ka simbolizuar mundësitë e hapura dhe arritjet më të rëndësishme në procesin e integrimit. Me Partinë Demokratike si garante të dekadës së re të demokratizimit dhe normalizimit, Basha risjell në libër aspiratën e papërmbushur dhe sugjestionuese për shqiptarët edhe në vitin 2021, atë të Shqipërisë si gjithë Europa. Largimin e Shqipërisë nga kjo aspiratë, ai e lidh me natyrën jodemokratike të kryeministrit aktual, ndërsa afrimin me Europën e sheh të lidhur si mundësi vetëm me rikthimin e modelit demokratik të qeverisjes.

Librin e ka konceptuar si një letër të hapur drejtuar shqiptarëve, me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe efiçente, që tingëllon e sinqertë, pa zbukurime dhe lojëra fjalësh, edhe pse pa dyshim në një format utilitar e me frymë elektorale. Megjithëse i adresohet kryesisht arsyes dhe synon të bindë përmes argumentimit, “Misioni” nuk mund të lexohet jashtë përkatësisë politike dhe emocioneve identitare. Libri sjell propozime të së djathtës si për shembull shtetin e vogël dhe efiçent, përqasje të lirisë ekonomike dhe rrugëve liberale për zgjimin ekonomik, angazhimet e një konservatorizmi të moderuar ndaj familjes dhe kulturës, si edhe konsiderata zhvilluese të lidhura pazgjidhshmërisht me Partinë Demokratike si “Partia më e bukur e Lindjes”. Në tërësi, artikulimi i perspektivës së djathtë në formën e një vizioni të tipit “Shqipëria, si bëhet” rezulton megjithatë tërheqës dhe projekton një emocion, aq më tepër që shoqërohet edhe me elementë të rrëfimit personal, që i japin librit një prekje njerëzore.

Risia e “Misionit” nuk është narracioni, gjithësesi, pasi nuk është as libër kujtimesh as letërsi. Konkretësia dhe qartësia me të cilën ka sjellë idetë dhe vlerat në të cilat beson, janë kontributi kryesor i këtij libri. “Urgjenca e normalizimit” është një nga kapitujt e librit ku Basha si jurist bëhet edhe më konkret, pasi është në fushën e vet të ekspertizës kur kërkon atë që ka vite që e presin partnerët ndërkombëtarë dhe vetë publiku: normalizimin funksional të demokracisë shqiptare. Nuk e mbështet propozimin e normalizimit vetëm tek personaliteti i tij si drejtues racional që beson tek ligji dhe të drejtat, por në aplikimin e një formule të thellë reformuese, sikurse shkruan. Propozimi i tij i parë është implementimi i një mekanizmi të ri kushtetues që çon në një kushtetutë të re demokratike, me konsensus të gjerë, si të vetmen garanci për ekuilibër politik dhe demokratik, për të kaluar në fazën e një shteti me demokraci të paprapësueshme. Në këtë rast, autori i “Misionit” ka gjuhën dhe formimin e duhur për të adresuar çështjet e lidhura me shtetin ligjor dhe të së drejtës, duke shprehur qartë edhe vullnetin për ndryshime transformuese, jo thjesht elektorale apo sipërfaqësore.

Megjithatë, një libër politik apo ekspertize, që vjen në nisje të fushatës elektorale është i pandashëm nga emocionet, edhe pse mund t’i adresohet arsyes dhe reflektimit. Ndaj, “Misioni” i Bashës i bën thirrje arsyes elektorale dhe i shërben gjithashtu edhe emocionit politik të ditës. Pa ndonjë kompleks në këtë drejtim, një libër elektoral është sidoqoftë pasaportë politike e vlefshme si shenjë e normalitetit dhe profesionalizimit të komunikimit politik modern. Një kandidat për kryeministër që i drejtohet opinionit publik me anë të një libri propozues për ta bindur është garancia e parë që ai jep për normalizimin e jetës politike edhe në Shqipëri. Aq më tepër nëse përmbajtja e librit është në lartësinë e aktit dhe sjell një perspektivë të argumentuar dhe realiste.

Fushata zgjedhore e partisë më të madhe të opozitës që nis me promovimin e një libri sot premton një realitet tjetër nesër, ndoshta një politikë më të mirë po të nisemi nga format i protagonizmit elektoral që ka zgjedhur kandidati i opozitës për kryeministër. Në arsyetimin e tij “politika e mirë i zgjidh probemet pa teatër” dhe “pa protagonizëm agresiv të saj me zë dhe figurë”. Rikthimin e vendit në shinat normale të të bërit politikë Basha e nis kësisoj që nga ky akt i parë simbolik, si reagim të mirëmenduar ndaj “degradimit të politikës e cila ka aktualisht statusin e një aktiviteti famëkeq, kur në të vërtetë duhet të jetë një mision, falë rëndësisë që ka për jetën e njerëzve”. Misioni i parë i librit mund të thuhet që është vetë-përmbushur sa kohë që mishëron si medium pikërisht atë që synon të sjellë, normalitetin e të bërit politikë./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb