TIRANË- Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ndodhet prej disa ditësh në Tiranë, po vijon takimet me autoritetet shqiptare ku në qendër të bisedimeve është zbatueshmëria e rekomandimeve, gjendja e financave publike gjatë muajve të parë të këtij viti, ndjekja e të dhënave të borxhit publik, ecuria e reformës së pensioneve, por edhe projektet për zhvillimin e investimeve të huaja.

Gjatë kësaj jave, misioni i FMN-së, i kryesuar nga Nadeem Ilahi zhvilloi takime në nivel teknik me drejtorë të departamenteve kryesore në ministrinë e Financave. Sipas burimeve, u diskutua mbi zhvillimet e fundit makroekonomike dhe perspektivën e rritjes, strukturën e qëndrueshmërinë e borxhit, si dhe mbi strategjinë e menaxhimit të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm.

Axhenda e këtij misioni përmban takime me autoritetet më të larta në vend, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, me Kryeministrin Edi Rama dhe me Ministrin e Financave, Shkëlqim Cani. Në fund të këtyre takimeve, që sipas axhendës, parashikohet të zgjasë 2 javë, pritet edhe një dalje publike e Misionit, Ministrit të Financave dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: