KUÇOVË

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur me tone të forta nga Kuçova duke e cilësuar kryeministrin Edi Rama peng dhe vasal i qarqeve më antishqiptare.

Meta foli për situatën ekonomike e sociale në vend dhe akuzoi Rilindjen për shpopullimin, varfërimin dhe shkatërrimin e vendit.

“Në qytetin e naftës, të aviatorëve, pilotëve, të guximit, të karakterit. Ne të Partisë së Lirisë jemi pilotë për atë që iu mungon më së shumti shqiptarëve që është liria. Jemi pilotë për atë që iu është cenuar më së shumti shqiptarëve.

Çdo familje këtu dhe kudo, mund të bëjë llogaritë se si ishte Kuçova para 10 viteve dhe si është sot. Mund të bëjë llogaritë se sa lekë i tepronin para 10 viteve dhe ai tepron ndonjë gjë sot, apo borxhet dhe veresiet janë shtuar. Mund të bëjë llogari se sa nxënës kanë shkollat e Kuçovës para 10 viteve dhe sa ka sot. Gjithçka po tretet se ky është misioni i Rilindjes, shpopullimi i vendit, varfërimit, shkatërrimi i çdo ndjesie për të kërkuar apo mbrojtur të drejtat që të jep kushtetuta. Mos mendoni se është rastësi që gjoja në emër të reformave janë sakatuar qytetet dhe rrethet në Shqipëri që kanë qenë dhe bazat e patriotizmit në vend. Jo më kot janë shkurtuar dhe gjykatat. Që të largohen intelektualët nga këto zona, treva, qytete, por jo vetëm kaq. Që të bëhet më e vështirë jeta dhe për qytetarët”, tha Meta.

https://www.youtube.com/watch?v=_U05e21Soik

Sipas tij, misioni i këtij sekti është tua bëjë jetën të padurueshme.

“Para se të hynim këtu një zonjë më tha se aman të bëhet ajo rruga e spitalit se është premtuar dhe kurrë nuk është bërë.
Kuçova është trajtuar si një bastion ku nuk ka nevojë të punosh, të shërbesh, por mjafton me presione, me blerje votash për të garantuar pushtetin dhe me korrupsion. Ndaj është kjo situatë kaq e rënduar, ndaj banorët e Lumasit dhe të zonave të tjera kanë protestuar vazhdimisht para bashkisë dhe sa herë vijnë ata fshihet kryetari se nuk u del dot përpara.
Arrestohet nëna 82 vjeçe nga Narta e Vlorës, ndërsa zotëria kullat që i ka dhënë vetë nuk i kishte parë dhe ka hall tani si të gjejë gjuhën me ta meqenëse dhe po i afrojnë zgjedhjet, por edhe që t’i shpëtojë nga ndjekja penale”, tha Meta.

Kreu i PL deklaroi se Rama ka vënë në diskutim shtetin e Kosovës, për të cilin janë vrarë aq shumë patriotë dhe ka vënë në diskutim dhe integritetin e Republikës së Shqipërisë.

“Si tha, çfarë të keqe ka të ikin shqiptarët, të vijnë nga Bangladeshi. Vetëm një problem ka, pasi të mësojnë gjuhë shqipe, të ikin të vijnë ca të tjerë. Si mund të flasë kryeministri me kaq përçmim për gjuhën shqipe.
Ky po u pi gjakun dhe fëmijëve të Shqipërisë. E keni dëgjuar se çfarë thotë, se 10 vjet fajin e kishte Saliu, e pa që ky refren u konsumua, tani ka filluar fajin e ka Putini. Si t’ia bëjmë që çmimi i naftës është shumë më lirë në Ukrainë, se këtu te ne, se në Kuçovë. Po mirë lufta ndikoka te ne, po në Kosovë nuk ndikon.

Më tha një inxhinier isha në Prizren, mbusha plot serbatorin dhe 40 mijë lekë kurseva nga kjo punë. Si shpjegohet që Kosova i ka shumë më lirë, Serbia shumë më lirë, Mali i Zi shumë më lirë. Kujt do t’ia hedhë. Po ne bomba na ka rënë për aq kohë sa të kemi ty të papërgjegjshëm. Çfarë fatkeqësie më e madhe do e zërë këtë vend, për një njeri që thotë dhe studentët do i sjellim nga Bangladeshi. Je peng dhe vasal i qarqeve më antishqiptare. Ke vënë në diskutim shtetin e Kosovës, për të cilin janë vrarë aq shumë patriotë, ke vënë në diskutim dhe integritetin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: