Kreu i PD, Lulzim Basha referuar librit të parë të tij sqaron në emisionin ‘’Kjo Javë’’ të Nisida Tufës në News24 se misioni i tij është politik

Basha thotë se më 25 prill do të vijë ndryshimi kryesor duke largar fillimisht pushtetin 8-vjeçar të Ramës që vetëm ka dështuar e zhgënjyer.

Ai thekson se që ditën e parë që ëe ka nisur në politikë, e deri në ditën e fundit, misioni i tij do të jetë politik pasi politikën nuk e sheh si profesion, por si mision.

 

 

Pyetje: Ju e quani kundërshtarin tuaj politik, por edhe partinë Socialiste si të vështirë, por edhe pa karakter. Nga ana tjetër ne dëgjojmë kryeministrin Rama teksa shprehet për opozitën, një opozitë e lehtë, ju konsideron edhe si kundërshtarë i lehtë, si i shihni këto dhe a do të përfundojë misioni juaj më 25 prill me përmbushje?

 

Lulzim Basha: Plani im është që Shqipëria të ndryshojë për të mirë, ndërkohë që çdo konsideratë që kam shprehur në këtë libër për kundërshtarin politik ka të bëjë me rekordin do të thoja e zi të këtyre viteve dhe për këtë nuk ka nevojë të zgjatem shumë sepse edhe në këtë moment që flasim, Shqipëria po lëngon në një krizë të shumëfishtë, një krizë të thellë ekonomike , me papunësi që rritet, me kosto të jetesës të papërballueshme, me taksa të larta, me falimentime të biznesit dhe shpunësime masive, me një krizë të demokracisë ku institucionet nuk funksionojnë, me një qeveri dhe një kryeministër të dhënë pas spektaklit personal, në vend të zgjidhjes se problemeve, personalizimit absolut të pushtetit, largimit në vend të afrimit me Bashkimin Europian, mbylljes së veshëve dhe syve përpara çdo kritike, qoftë kjo nga një qytetar i thjeshtë, nga një i ri apo institucionet europiane apo amerikane të cilat kanë preokupime të vërteta për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Dhe një krize të emigracionit, të zbrazjes së Shqipërisë. Këto flasin vetë, nuk kanë nevojë për komentet e mia, ajo që unë dua të theksoj sot është që misioni im që kam shpalosur në këtë letër të hapur ndaj shqiptarëve, është ti kthej politikës një fytyrë njerëzore, një besueshmëri që buron nga politika si instrument shërbimi dhe jo qëllim në vetvete dhe mbi të gjitha, aftësinë dhe mundësinë për t’ju shërbyer njerëzve dhe jo për ti dëmtuar ata. Për tetë vite ajo që kemi parë është që i ka dëmtuar njerëzit, i ka tronditur ata, i ka varfëruar ata dhe ndryshimi kryesor që do të vijë me 25 prill, me largimin e këtij pushteti tetë vjeçar për shkak të dështimeve të tij, për shkak të zhgënjimit masiv që ka shkaktuar, për shkak të krizës që ka shkaktuar, do të shoqërohet me ardhjen e një qeverisje ndryshe, të një kryeministri ndryshe, të një politike me fytyrë njerëzore, të përgjegjshme, llogaridhënëse, të hapur, transparente dhe mbi të gjitha Nisida, në shërbim të njerëzve. Ky është zotimi im, ky është programi dhe plani ynë, ky është edhe do thoja mesazhi kryesor i këtij libri, misioni im është politik, në shërbim të njerëzve. Kështu e kam nisur ditën e parë apo intervistën e parë që kam dhënë në politikë dhe kështu do ta vazhdoj deri ditën time të fundit në politikë. Politika si shërbim ndaj njerëzve, politika pa zhurmë, por me vepra konkrete që përmirësojnë jetën e shqiptarëve, për të cilën sot shqiptarët kanë më shumë nevojë se kurrë. Ndaj jam më i bindur se kurrë se 25 prilli do të jetë një ditë bashkimi i madh për ndryshim, me të cilin të gjithë Shqipëria do të fitojë.

Pyetja: Suksese në misionin tuaj zoti Basha!

Lulzim Basha: Faleminderit shumë!

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb