Operacioni ushtarak izraelit “Ngritja e Luanit” më i madhi i nisur ndonjëherë nga Izrali kundër Iranit, filloi në orët e para të 13 qershorit. Më shumë se 200 avionë luftarakë sulmuan në “valën” e parë, duke lëshuar qindra raketa kundër dhjetëra objektivave të shpërndara brenda Iranit. Brenda pak orësh, iranianët kishin humbur sisteme kyçe armësh dhe zyrtarë të lartë të ushtrisë të cilët u eliminuan në goditje me saktësi kirurgjikale.
“Sulmi ajror i Izraelit ndaj Iranit e tronditi Teheranin si me thellësinë ashtu edhe me saktësinë e tij. Më shumë se një duzinë oficerësh të lartë të sigurisë iranianë dhe shkencëtarë bërthamorë u vranë pothuajse njëkohësisht. Bateri të tëra të mbrojtjes ajrore u shkatërruan para se të mund të nisnin një interceptim të vetëm; dhe shumë vende lëshimi raketash u gjetën dhe u shkatërruan”, shkruan Financial Times.
Megjithatë, saktësia e sulmeve izraelite sugjeron se ka pasur “përgatitje” paraprake në tokën iraniane nga shërbimet e inteligjencës izraelite Mossad dhe Aman (shërbimi i inteligjencës ushtarake). Detajet e këtyre operacioneve ka shumë të ngjarë të mos zbulohen kurrë plotësisht. Mënyra e përgatitjes, vite të tëra investim dhe testimet e suksesshme në vendet e tjera të Lindjes së Mesme i bëjnë operacionet izraelite underground të pazbulueshme, deri në momentin e goditjes.
Për herë të parë në historinë e saj, Mossad ka publikuar një video e cila tregon komando izraelite duke kryer sabotim brenda Iranit. Ata lëshojnë dronë dhe raketa të drejtuara kundër objektivave iraniane nga brenda territorit iranian.
Siç pritej, sulmet e suksesshme të izraelitëve kundër objektivave iraniane shkaktuan panik dhe pasiguri midis vetë forcave iraniane të sigurisë.
Një ish-komandant i lartë i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit këtë javë u bëri thirrje qytetarëve të kontrollojnë çatitë e shtëpive të tyre për dronë të vegjël, duke pretenduar se grupet opozitare iraniane ishin paguar për të futur kontrabandë avionë të tillë pa pilot në qytetet e mëdha iraniane. Ndërkohë, shefi i policisë së Iranit u bëri thirrje spiunëve izraelitë të dorëzoheshin, ndërsa agjencia e lajmeve Fars e Iranit, e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare, dha alarmin jo vetëm për mbikëqyrjen, por edhe për vrasjet që mund të ndodhin nëpërmjet telefonave celularë me “kurthe” shpërthyese të cilat mund të aktivizohen papritur nga inteligjenca izraelite.
“Të gjithë telefonat celularë që u përkasin komandantëve, zyrtarëve të lartë, shkencëtarëve bërthamorë – madje edhe familjeve të tyre – duhet të lihen mënjanë”, tha një deputet iranian, në mënyrë karakteristike, me sytë e tij të përqendruar në rastin e bombardimit të militantëve të Hezbollahut nga Izraeli vitin e kaluar, duke shpërthyer pajisjet e komunikimit në të gjithë Libanin.
Njerëzit që folën me Financial Times, në kushte anonimiteti, përshkruajnë “një operacion të gjerë dhe shumëvjeçar që mbështetej në çdo mjet të mundshëm nga i cili inteligjenca izraelite mund të nxirrte informacion: satelitë komercialë, telefona të hakuar, agjentë të fshehtë të rekrutuar në nivel lokal, depo sekrete për montimin e dronëve, madje edhe sisteme të vogla armësh të vendosura në automjete të përditshme që ishin jashtë çdo dyshimi”. E gjithë kjo me qëllim krijimin e një grupi objektivash që mund të eliminoheshin brenda orëve të para të një operacioni ushtarak, siç edhe u bë.
Një ish-zyrtar izraelit pohon se pas asaj që kemi parë në terren ditët e fundit fshihen “miliona dollarë dhe vite përpjekjesh”.
Sipas Financial Times, grupi kryesor i objektivave iraniane që ishin në qendër të Operacionit “Rising Lion” kishte filluar të merrte formë marsin e kaluar.
Kujtojmë se shërbimet e inteligjencës izraelite, në periudhën e mëparshme, kishin testuar me sukses në fronte të tjera (Liban, Siri) mekanizma dhe taktika spiunazhi që, me sa duket, i kishin aplikuar edhe në rastin e Iranit.
Vrasja e Ismail Haniyeh në Teheran në korrik 2024 ishte një “parathënie” e asaj që do të ndodhte më pas, ndërsa veçanërisht në rastin e Hassan Nasrallah, i cili u vra nga bombardimi izraelit në Bejrut në shtator 2024, thuhet se izraelitët kanë zhvilluar një sistem që u jepte atyre vendndodhjen e saktë gjeografike të udhëheqësit të Hezbollahut një herë në 24 orë.
(BalkanWeb)